Policia e Tiranës ka proceduar në gjendje të lirë 15 persona, për protestën e zhvilluar ditën e djeshme në sheshin “Skënderbej”, në mbështetje të Palestinës. Kujtojmë se me thirrjet “Lironi Palestinën”, dhjetëra qytetarë janë mbledhur dje në sheshin për të protestuar kundër Izraelit.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 3 filloi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, për shtetasit: E. S., 23 vjeç, B. L., 28 vjeç, A. B., 47 vjeç, A. D., 26 vjeç, F. B., 22 vjeç, E. Z., 44 vjeç, E. K., 35 vjeç, A. M., 21 vjeç, F. L., 27 vjeç, E. P., 23 vjeç, A. J., 53 vjeç, E. R., 48 vjeç, I. D., 36 vjeç, A. H., 36 vjeç dhe O. G., 31 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia. Gjatë tubimit, ka ndërhyrë policia për të shpërndarë protestuesit, pasi sipas tyre, nuk po zbatoheshin kufizimet kundër koronavirusit. Pas presioneve të Policisë, protesta u zhvendos në rrugën e Kavajës, ndërsa qytetarët kanë vijuar me thirrjet: Lironi Palestinën! Allahu Ekber! Qytetarët kanë kërkuar që të dinë publikisht qëndrimin e qeverisë shqiptare, duke kërkuar “llogari” për falenderimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ndaj vendit tonë.