Pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria përgatiti një draft për sigurimin e detyrueshën të banesave.
Pagesat do të fillojnë nga 15 deri në 25 euro dhe kompensimi do të variojë nga 15 mijë deri në 25 mijë euro, shkruan “Monitor”
Ndarja do të bëhet sipas llojit të ndërtimit, i cili ndahet në këto kategori:
A (Beton i armuar): nënkupton strukturat e siguruara, qoftë skeletit betonarme ose skelet beton arme me mbushje murature ose muraturë, të cilat janë të projektuara për t’i bërë ballë ngarkesave anësore.
B (Muraturë e të tjera): nënkupton të gjitha strukturat e siguruara që nuk përfshihen në Kategorinë e Ndërtimit A (Beton i armuar).
Për kategorinë e parë do të paguhen 25 euro në vit, ndërsa për të dytën 15 euro.
Kompensimi në rast dëmi do të jetë 25 mijë euro për kategorinë e parë dhe 15 mijë euro për kategorinë e dytë.
Ndërsa për banesat sociale, primet do të paguhen nga bashkitë përkatëse.
Agjencia Shtetërore për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmeti, do të mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Kontratat e sigurimit duhet të përmbajë të paktën elementët e mëposhtëm:
- a) Emri dhe adresën e të siguruarit dhe Agjencisë;
- b) Objektin e kontratës;
- c) Detaje mbi pronat e sigurueshme;
- d) Rreziqet e mbuluara dhe përjashtimet ose ndonjë kufizim nga mbulimi;
- e) Datën e fillimit dhe mbarimit të kontratës së sigurimit;
- f) Shumën e siguruar (kufirin e detyrueshëm);
- g) Primin e sigurimit dhe procedurën e pagesës.
Periudha e vlefshmërisë së kontratës së sigurimit është një vit. Në rastet kur ndryshohet pronësia brenda vitit, kontrata mbetet e vlefshme për pronarin e ri.
Procedurat për trajtimin dhe pagesën e dëmshpërblimit përcaktohen me rregullore të miratuar nga AMF.
Gjithashtu do të krijohet edhe një sistem i brendshëm për ankesat, i cili do t’u japë përgjigje qytetarëve brenda 15 ditëve.
Agjencia do të kryejë funksionet e një shoqërie sigurimi dhe do të mbikëqyret nga AMF.
Agjencia gjithashtu mund të lidhë marrëveshje me operatorë lokalë ose kombëtarë, për shitjen e kontratave të sigurimit.
Drafti i plotë
Primet sipas banesave nga 15-25 euro/vit
Projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat ka ndarë disa lloje ndërtimesh. Lloji i Ndërtimit” A (Beton i armuar): nënkupton strukturat e siguruara, qoftë skeletit betonarme ose skelet beton arme me mbushje murature ose muraturë, të cilat janë të projektuara për t’i bërë ballë ngarkesave anësore. “Lloji i Ndërtimit” B (Muraturë e të tjera): nënkupton të gjitha strukturat e siguruara që nuk përfshihen në Kategorinë e Ndërtimit A (Beton i armuar).
Sipas ligjit, primi i sigurimit nënkupton koston financiare që duhet të paguhet për marrjen e mbulimit të sigurimit, sipas këtij Ligji. Primet e sigurimit paguhen nga pronari i pronës së sigurueshme ose si një shumë e barabartë me primin vjetor të sigurimit para fillimit të sigurimit të detyrueshëm për tërmetin. Primi i sigurimit do të jetë 25 Euro, për risqet e siguruara për ndërtimet me beton dhe 15 Euro, për risqet e siguruara nga ndërtimet me muratura të tjera.
Kompensimi në rast dëmi ose shuma e sigurimit duhet të jetë e barabartë me kufirin e saj të detyrueshëm, me ekuivalentin e 25,000 Euro për llojet e ndërtimit A dhe 15,000 Euro, për llojet e ndërtimit B. Pjesa e zbritshme është në nivelin e 2 (dy) për qind të vlerës së dëmit edhe mbulohet nga subjekti i siguruar për çdo dëm që shkaktohet nga ngjarjet e tërmetit të mbuluara nga sigurimi i detyrueshëm ndaj tërmeteve. Ky sigurim mbulon gjithashtu sendet brenda banesës, deri në 10 (dhjetë) për qind të shumës së sigurimit në varësi të llojit të objektit të siguruar.
Ky sigurim i detyrueshëm tërmeti përjashton si më poshtë: humbjet që lidhen me heqjen e mbeturinave, fitimin e munguar, ndërprerjen e biznesit, humbjen e qerasë, banesë alternative dhe shpenzimet e zyrës, detyrimet ligjore dhe humbjet e ngjashme pasuese; të gjitha lëndimet trupore duke përfshirë edhe vdekjen; kërkesa për kompensim të dëmeve morale dhe humbjet përveç atyre të shkaktuara nga tërmeti dhe zjarri, shpërthimi, tsunami, rrëshqitje e tokës, ulje (zhvendosje) të shkaktuara nga tërmeti.
Sa do paguhet për sigurimin nga tërmeti
Primet e sigurimit paguhen nga pronari i pronës së sigurueshme ose si një shumë e barabartë me primin vjetor të sigurimit para fillimit të sigurimit të detyrueshëm për tërmetin. Primi i sigurimit do të jetë 25 Euro, për risqet e siguruara për ndërtimet me beton dhe 15 Euro, për risqet e siguruara nga ndërtimet me muratura të tjera.
Bashkia paguan primet për banesat sociale
Pronarët e pronës së sigurueshme duhet të lidhin një kontratë të vlefshme të sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti në përputhje me dispozitat e këtij ligji, si dhe të sigurojë rinovimin e saj çdo vit. Detyrimin për të lidhur kontrata të detyrueshme të sigurimit të tërmetit e kanë edhe banesat sociale, pronare e të cilave është bashkia. Bashkitë do të financojnë primet përkatëse nga buxhetet e tyre. Buxheti i shtetit është përgjegjës për financimin e primit të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetit për personat me ndihmë ekonomike. Kriteret dhe procedurat përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
AMF nuk përfshin përmbytjet në projektligj
Në fakt AMF e mbështetur nga Banka Botërore ka propozuar prej vitesh projektligjin për sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat, por siç ndodh rëndom, institucionet shqiptare kujtohen vetëm pas ngjarjeve për të bërë sigurimin e rreziqeve. Versioni i fundit i projekt ligjit ka përjashtuar përmbytjet, të cilat ishin shqetësuese dhe me shumë dëme vitet e kaluara, por nuk janë përfshirë në ligj.
Drafti parashikon krimin e Agjencisë Shtetërore për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmeti, e cila në fakt më shumë do jetë si një shoqëri sigurimi shtetërore, i njëjtë me modelin e “Korporatës së Investimeve”. Njëlloj si shoqëritë e licencuara të sigurimit, të cilat e kanë pjesë të licencës sigurimin nga tërmeti, Agjencia do të mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, por në fakt statusin do ta ketë si person juridik.
Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmeti mbulon humbjet financiare të pësuara nga i siguruari për shkak të dëmeve të drejtpërdrejta të ndodhura në pasurinë e siguruar, të shkaktuara nga ngjarjet e tërmetit, sipas kritereve të përcaktuara me këtë ligj. Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmeti zbatohet për llojet e mëposhtme të pronave, të cilat janë të regjistruara në regjistrin e pasurive të paluajtshme:
Banesa;
Seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme.
Por projektligji parashikon përjashtime pasi sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmeti nuk zbatohet për pronat e mëposhtme: ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër- kallami ose të ngjashme dhe ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.
Sipas përkufizimeve, “Sigurim i detyrueshëm i banesave nga tërmeti”: nënkupton detyrimin e pronarit ose mbajtësit të çertifikatës së përdorimit të pronave të listuara, për të lidhur një kontratë sigurimi për të mbuluar humbjet financiare si rezultat i dëmeve të drejtpërdrejta të ndodhura në banesa, për shkak të tërmeteve. “Banesë”: nënkupton një ndërtesë rezidenciale ose pjesë të një ndërtese rezidenciale, që përdoret për qëllime banimi nga një ose më shumë persona bashkërisht.
Banesa nuk përfshin tokën që ndodhet nën strukturën e banesës ose jo edhe nëse kjo shërben për mbështetjen apo instalimin e saj. Banesa nuk përfshin ndonjë strukturë përveç strukturës rezidenciale me përjashtim të rasteve kur struktura (1) ndan një mur të përbashkët ose një çati në vazhdimësi me strukturën rezidenciale ose shtëpinë lëvizëse ose (2) është ngjitur me strukturën rezidenciale ose shtëpinë lëvizëse përmes një themeli, i cili është në vazhdimësi të themelit me strukturën rezidenciale.
Ligji përcakton se ngjarje tërmeti nënkupton një tërmet i cili ka ndodhur në Shqipëri ose rajonet ngjitur dhe ka sjellë dëme në Shqipëri, i raportuar nga Autoriteti Kombëtar i cili është autorizuar të masë tërmetet. Të gjithë tërmetet pasuese (paslëkundjet – aftershocks) si dhe zjarri, shpërthimi, rrëshqitjet e tokës apo ulje (zhvendosje) të shkaktuar nga lëkundjet pasuese, që ndodhin gjatë një periudhe kohore prej shtatëdhjetë e dy orësh nga zhvillimi i Ngjarjes së Tërmetit, do të vlerësohet si pjesë e Ngjarjes së Tërmetit.
Rrëshqitje toke nënkupton një fenomen gjeologjik, i shkaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga një ngjarje tërmeti, e cila përfshin një rreze të gjerë të lëvizjes së tokës si rënie shkëmbinjsh, rrëzimi i skarpateve, dhe prurjeve të mbeturinave në sipërfaqe të cekëta.
Kontratat e sigurimit
Kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti bëhet me shkresë, me anë të dëshmisë së sigurimit (policës së sigurimit). Kontrata e sigurimit me shkrim është e vlefshme edhe në rastet kur është hartuar në formën e një dokumenti elektronik në përputhje me dispozitat e ligjit për nënshkrimin elektronik dhe për dokumentin elektronik.
Kontratat e sigurimit duhet të përmbajë të paktën elementët e mëposhtëm:
- a) Emri dhe adresën e të siguruarit dhe Agjencisë;
- b) Objektin e kontratës;
- c) Detaje mbi pronat e sigurueshme;
- d) Rreziqet e mbuluara dhe përjashtimet ose ndonjë kufizim nga mbulimi;
- e) Datën e fillimit dhe mbarimit të kontratës së sigurimit;
- f) Shumën e siguruar (kufirin e detyrueshëm);
- g) Primin e sigurimit dhe procedurën e pagesës.
Kushtet e kontratës hartohen nga Agjencia, e cila i depoziton në Autoritet për miratim. Autoriteti kthen për korrigjim kushtet e kontratës në rastet kur vlerëson se ato nuk janë hartuar në përputhje me parashikimet e këtij ligji. Kushtet e kontratës të miratuara nga Autoriteti, publikohen në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë. Çdo ndryshim i kushteve të kontratës hartohet dhe miratohet sipas të njëjtës procedurë të përcaktuar në këtë pikë për miratimin e kushteve të kontratës. Periudha e vlefshmërisë së një kontrate të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet është një vit. Kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet hyn në fuqi në orën 24:00 të datës së shënuar në policën e sigurimit si datë e fillimit të saj me kusht që të jetë paguar më parë primi dhe përfundon në orën 24:00 të datës së shënuar në policën e sigurimit si datë e përfundimit të saj. Nëse primi nuk paguhet në kohë, sigurimi pezullohet deri në orën 24:00 të ditës kur paguhet primi. Kur pronësia ndryshon gjatë periudhës së vlefshmërisë së kontratës, kontrata e detyrueshme e sigurimit nga tërmeti do të mbetet e vlefshme në emër të pronarit të ri. Pronari i ri është i detyruar të informojë Agjencinë për ndryshimin e pronësisë brenda 10 ditëve kalendarike nga data e ndryshimit të pronësisë.
Si do të paguhen dëmet
Rregullat për trajtimin dhe pagesën e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti, hartohen nga Agjencia dhe miratohen nga Autoriteti. Agjencia mund të delegojë trajtimin dhe pagesën e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti. Procedurat për trajtimin dhe pagesën e dëmshpërblimit përcaktohen me rregullore të miratuar nga AMF.
Agjencia krijon një regjistër kombëtar të dëmeve të sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti (bazë të dhënash) të integruar plotësisht me regjistrin e kontratave të lidhura të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet dhe që evidenton fazat e procesit të trajtimit dhe pagesës së dëmeve, që rrjedhin nga këto kontrata.
Vlera e dëmshpërblimit për dëme që rrjedhin nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk kalon në asnjë rast kufirin e shumës së siguruar të përcaktuar në policën e sigurimit.
Trajtimi i ankesave
Çdo i siguruar/përfitues ose persona të tjerë të interesuar ka të ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Agjencisë në rast se nuk respektohen parashikimet e kontratës së sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. Agjencia është e detyruar të përgjigjet çdo ankese të depozituar me shkrim apo në formë elektronike dhe të japë çdo informacion të kërkuar që ka lidhje me kontratën e sigurimit, brenda 15 ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës. Agjencia krijon një sistem të brendshëm për trajtimin e ankesave dhe procedura të brendshme për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre ankesave. I siguruari/përfituesi ose persona të tjerë të interesuar ka të drejtë t’i drejtohen Autoritetit për çdo pakënaqësi të trajtimit të ankesës së tij nga Agjencia. Autoriteti, kur e gjykon të nevojshme, i kthen për rishqyrtim Agjencisë çështjen për të cilën është paraqitur ankim. Autoriteti, brenda kompetencave të tij mbikëqyrëse, ka të drejtë të kontrollojë nëse Agjencia zbaton kërkesat e ligjit dhe kushtet e kontratës së sigurimit.
Pagimi i dëmeve
Agjencia krijon një regjistër kombëtar të dëmeve të sigurimit të detyrueshëm nga tërmeti (bazë të dhënash) të integruar plotësisht me regjistrin e kontratave të lidhura të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet dhe që evidenton fazat e procesit të trajtimit dhe pagesës së dëmeve, që rrjedhin nga këto kontrata. Vlera e dëmshpërblimit për dëme që rrjedhin nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet nuk kalon në asnjë rast kufirin e shumës së siguruar të përcaktuar në policën e sigurimit.
Agjencia, kompani sigurimi apo Institucion publik?!
Draftligji pritet të kundërshtohet nga shoqëritë e sigurimit të cilat me këtë version mund të jenë vetëm agjentë të Agjencisë së Tërmeteve, e cila do të ketë monopolin e sigurimit dhe risigurimit nga tërmetet
Veprimtaria e sigurimit dhe risigurimit në Shqipëri rregullohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në zbatim të ligjit 52/2014. Autoriteti licencon dhe mbikëqyr shoqëritë e sigurimit të jo-jetës dhe shoqëritë e sigurimit të jetës, të cilat ofrojnë ndër të tjera edhe sigurimin e pronës nga tërmetet dhe katastrofat natyrore, zjarri dhe përmbytjet ndërsa shoqëritë e sigurimit të jetës sigurojnë jetën kryesisht të debitorëve të bankave por edhe personave të interesuar për sigurimin e jetës.
Nga drafti, i siguruar nga Monitor, rezulton se Agjencia do të kryejë funksionet e një shoqërie sigurimi, mbledh prime dhe paguan dëme, por është një person juridik publik, me seli në Tiranë. Agjencia organizohet, drejtohet dhe kryen veprimtarinë e saj nëpërmjet bordit drejtues, drejtorit ekzekutiv dhe punonjësve, siç përcaktohet në këtë ligj. Agjencia gëzon pavarësi operacionale dhe financiare, në zbatim të dispozitave të këtij ligji. Agjencia mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Raporti vjetor dhe dokumentet financiare të audituara të Agjencisë i paraqiten Autoritetit Mbikëqyrës jo më vonë se tre muaj nga mbyllja e vitit financiar. Agjencia publikon raportin vjetor dhe dokumentet financiare të audituara në faqen e saj të internetit. Agjencia ka në pronësi mjetet e tjera financiare të ardhura nga burime të përcaktuara në këtë ligj. Agjencia dhe veprimtaritë e saj përjashtohen nga taksat dhe tatimet. Agjencia shpërndahet dhe likuidohet me ligj.
Shitjet e centralizuara të policave të sigurimit
Shitjet e policave të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet do të kryhen nëpërmjet një sistemi të centralizuar IT me funksione të përcaktuara nga Agjencia. Sipas projekligjit shoqëritë e sigurimit mund të shesin polica të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet në emër dhe për llogari të Agjencisë (pra si agjent të agjencisë dhe jo si shoqëri sigurimi që marrin përsipër sigurimin dhe risigurimin e riskut), sipas kritereve të miratuara nga AMF. Agjencia mund të lidhë marrëveshje me operatorë lokalë ose kombëtarë, për shitjen e kontratave të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet, sipas metodologjisë dhe procedurave përkatëse teknike të miratuara nga Agjencia. Shoqëritë e sigurimit si dhe subjektet e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni, e kryejnë shërbimin e shitjes kundrejt komisioneve të përcaktuara me vendim të Bordit Drejtues të Agjencisë.
Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet mund të vihen në dispozicion të publikut për tu aksesuar drejtpërdrejtë përmes internetit në një faqe të dedikuar, të krijuar dhe administruar nga Agjencisë në përputhje me Ligjin e Firmës Elektronike dhe Ligjin e Dokumenteve Elektronike në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Si do të financohet Agjencia e Tërmeteve
Të ardhurat e Agjencisë përbëhen nga primet e sigurimit, komisionet e marra nga transaksionet e risigurimit dhe të ardhurat nga investimi. Të ardhurat e Agjencisë mund të përdoren vetëm për qëllimet e përmendura më poshtë:
Pagesave të dëmshpërblimeve dhe shpenzimet për trajtimin e dëmeve, përfshirë shpenzimet ligjore përkatëse.
Pagesën e komisioneve për shitjen e kontratave të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet.
Pagesat për cedimin në risigurim apo për garanci të tjera të ngjashme, të nevojshme për transferimin e rrezikut.
Shpenzimet administrative të Agjencisë
Pagesat e tarifës së shërbimit në rast të delegimit të një apo disa funksioneve të Agjencisë .
Agjencia kryen veprimtaritë dhe është përgjegjëse për:
Shitjen e kontratave të sigurimit;
Administrimin e primeve të sigurimit;
Administrimin dhe investimin e aseteve të saj;
Risigurimin e përgjegjësive;
Trajtimin dhe pagesën e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet.
Operacionet teknike
Për të siguruar zbatimin e duhur të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet, Agjencia duhet të ketë në çdo kohë standardet teknike të mëposhtme:
Të gjitha shitjet e kontratave të sigurimit të detyrueshëm ndaj katastrofave do të kryhen përmes procesit të marrjes në sigurim bazuar në një sistem IT të centralizuar, me funksione të mirëpërcaktuara të tarifimit dhe shitjes.
Krijimi i një regjistri kombëtar të dëmeve të sigurimit të detyrueshëm ndaj katastrofave (bazë të dhënash) të integruar plotësisht me regjistrin e shitjes së kontratave dhe që evidenton fazat e procesit të trajtimit dhe pagesës së dëmeve që rrjedhin nga këto kontrata. Regjistri kombëtar i policave të sigurimit të detyrueshëm ndaj katastrofave (baze të dhënash) duhet të përditësohet në kohë reale.
Të ofrojë shërbim të shpejtë dhe të saktë për dëmshpërblimin e dëmeve pas ngjarjes katastrofike, që përfshin angazhimin e ekspertëve të specializuar, dhe të trajtim të shpejtë dhe të saktë të kërkesave për dëmshpërblim, metodologji të shlyerjes të dëmeve të bazuar në një sistem IT të centralizuar, me funksione të integruara me marrjen në sigurim dhe sistemin e shitjes.
Zhvillon dhe mban të përditësuar një modeli të rrezikut të brendshëm të Agjencisë.
Monitorimi i vazhdueshëm i akumulimeve të riskut të sigurimit nga tërmetet dhe vlerësimi i potencialeve të tyre të humbjes përmes përdorimit të modeleve të riskut të sigurimit nga tërmetet dhe modelit të brendshëm të riskut të Agjencisë.
Vendosja e marrëveshjeve efektive të risigurimit që mund të garantojnë aftësinë për pagesën e dëmeve dhe qëndrueshmërinë e operacioneve të Agjencisë, pas një ngjarjeje tërmeti me të paktën 200 YRP, sipas modelit të brendshëm të riskut të Agjencisë.
Agjencia mund të delegojë pranë një Operatori Teknik operacionet teknike të saj.
Regjistri i Sigurimit të Detyrueshëm nga Tërmeti
Regjistri i Sigurimit të Detyrueshëm nga tërmetet për qëllime të grumbullimit dhe ruajtjes së informacioneve dhe të dhënave të nevojshme për ofrimin e sigurimit të detyrueshëm nga katastrofat. Regjistri i sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet:
krijon një bazë të dhënash elektronike për të ruajtur informacionin dhe të dhënat e nevojshme për ofrimin e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet;
mbledh dhe ruan të dhënat që lidhen me policat e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet;
mbledh dhe ruan të dhëna për dëmet që lidhen me policat e sigurimin të detyrueshëm nga tërmetet;
mbledh dhe ruan të dhënat e pronave të siguruara, të cilat janë të regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme ose për të cilat është lëshuar një certifikatë përdorimi dhe do t’i lidhë këto të dhëna me të dhënat e mbledhura, sipas shkronjës b, të paragrafit 2 të këtij neni;
mbledh dhe ruan informacione mbi ndërtesat, të cilat përjashtohen nga detyrimi për të patur sigurim të detyrueshëm ndaj tërmetet.
Risigurimi
Sigurimi i katastrofave kërkon me patjetër risigurimin e rreziqeve të mara nga Agjencia. Të ardhurat e kostove neto dhe shpenzimeve të Agjencisë do të grumbullohen për të ngritur kapacitetet paguese të dëmeve neto të Agjencisë. Programi i risigurimit do të organizohet në bazë vjetore në emër të Agjencisë. Rregullat teknike do të specifikojnë kriteret për risiguruesit ndërkombëtar, që mund të marrin pjesë në programin e risigurimit të Agjencisë.
Agjencia me Bordi Drejtues njëlloj si AMF
Nga projektligji që po diskutohet rezulton se Agjencia do të ketë një Bord me 5 anëtarë jo ekzekutiv, e ngjashme me AMF që ka kryetarin dhe dy anëtarë të Bordit jo-ezekutiv. Anëtarët e bordit drejtues emërohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me propozim si më poshtë:
një anëtar nga AMF i cili është Kryetar i Bordit Drejtues;
një anëtar nga Ministria përgjegjëse për financat;
një anëtar nga Ministria përgjegjëse për emergjencat civile;.
një përfaqësues nga Shoqata e Shqiptare e Sigurimeve;
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë,
Anëtarët e bordit drejtues të Agjencisë emërohen për një afat katërvjeçar dhe mund të rizgjidhen edhe për një mandat të dytë. Në rastet kur mandati i anëtarit ka përfunduar, secili prej tyre qëndron në detyrë deri në çastin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj, por jo më shumë se tre muaj. Tre muaj para përfundimit të mandatit të çdo anëtari të Bordit, Agjencia njofton me shkrim institucion përkatës propozues. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare refuzon kandidaturat për anëtarë të bordit drejtues nëse kandidati nuk plotëson kërkesat për përshtatshmëri dhe aftësi, të parashikuara në këtë ligj.
Mbledhjet e Bordit thirren me nismën e Kryetarit. Bordi mblidhet të paktën një herë në muaj. Mbledhjet e Bordit drejtohen nga Kryetari. Mbledhja e Bordit është e vlefshme kur janë të pranishëm të paktën 3 anëtarë. Vendimet e Bordit janë të vlefshme kur votojnë pro të paktën 3 anëtarë. Në votim nuk lejohet abstenimi. Për çdo mbledhje mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e pranishëm në mbledhje. Vendimet e marra në mbledhje nënshkruhen nga Kryetari dhe Drejtori Ekzekutiv. Bordi miraton rregulloren për funksionimin dhe mbajtjen e procesverbalit të mbledhjes.
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës emërohet nga Bordi Drejtues i në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë ligj për anëtarët e Bordit dhe pas një procedure përzgjedhëse. E gjithë struktura e Agjencisë duhet të kompletohet brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e Ligjit.