Rasti i Ermes Hoxhallit ka tronditur opinionin publik jo vetëm për nivelin e mashtrimit, por për mënyrën se si institucionet shqiptare u depërtuan nga një identitet i rremë, thjesht sepse mbante mbiemrin Rama. Hetimi nxori në pah se përmes personazhit “Klea Rama”, i prezantuar si mbesa e kryeministrit, u hapën dyer që për një student të zakonshëm arti do të kishin mbetur të mbyllura.
Dëshmitë e mbledhura nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, drejtues shkollash dhe zyra vendore arsimore tregojnë se Ermes Hoxhalli kishte zhvilluar paralelisht dy projekte me Ministrinë e Arsimit. Një projekt në emër të “Klea Ramës” dhe një tjetër në emrin e tij personal, i dërguar për miratim elektronikisht një javë më vonë, në shtator 2023, pas emailit me titull “Let’s talk together about United States”. Vetë Hoxhalli e pranon se pa këtë identitet dyert ishin thuajse të mbyllura.
Megjithëse me Ministrinë e Arsimit projekti “Konkurs Kombëtar Teatror Rinor” u ndal vetëm në fazën e parë, një tjetër institucion shtetëror i hapi rrugë. Në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, 20 vjeçari rezulton një nga fituesit ndër gati 600 aplikime për projekte në art dhe kulturë, duke firmosur një kontratë me mbështetje financiare prej 400 000 lekësh të reja për organizimin e një festivali me nxënësit më të mirë aktorë.
Në një rrëfim për “Top Channel”, pasi ka shlyer dënimin me burg, Ermes Hoxhalli flet për herë të parë hapur për skemën dhe për mënyrën se si lindi personazhi që tronditi institucionet.
I pyetur drejtpërdrejt se si u krijua “Klea Rama”, ai deklaron:
“Unë do t’ju them që nuk kam unë autorësinë e këtij personazhi.”
Kur i kujtohet se është i dënuar për këtë vepër, Hoxhalli përgjigjet:
“Patjetër që kam kryer, por kjo nuk do të thotë që drejtësia është perfekte.”
I pyetur nëse ndihet fajtor, ai thotë:
“Unë e ndjej veten fajtor në një pjesë të gjësë, jam pjesë e baltës. Gjithë të tjerët që kanë qenë në lëvizje të këtij personazhi duhet të jenë para drejtësisë. Por u morën vetëm me mua dhe vulat që kisha bërë prej Ambasadës. Kaq. Dhe unë, një çmenduri që e bëra atë gjë. Nuk janë analizuar thelbi, detajet, motivet. Mbylleshin seancat brenda 5 minutash, sa për të mbyllur një dosje dhe për të kaluar në një tjetër.”
Sipas tij, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te një emër:
“Kjo gjë ka lindur në Ministrinë e Arsimit dhe ka rrjedhur më pas në të gjithë institucionet e tjera arsimore. Duhet të përgjigjen së pari zyrtarët e ministrisë se si është mundur që është futur ky projekt. Institucionet me të cilat unë jam ende në proces gjyqësor nuk kanë hedhur dritë mbi të vërtetën.”
I pyetur pse e pranoi të ishte i dënuari i vetëm, ai shprehet:
“Drejtësia për mua është ndërgjegje. Edhe unë nuk e di se si ata flenë gjumë, si jetojnë me këtë barrë mbi supe. Se unë e kam hequr tashmë nga vetja ime.”
Hoxhalli pranon se përfshirja e tij nisi nga njerëz që njihte:
“U bëra pjesë nga disa persona që njihja.”
Ai mohon ta ketë parë si një lojë:
“Jo si një lojë, por si një marrëdhënie merr edhe jep për diçka si kjo që u bë.”
Për përfitimet, ai është i drejtpërdrejtë:
“Një mori e të gjithave, pak nga të gjitha. Mbase kjo do më hapte dyert, sepse unë nuk i kam pasur dyert gjithmonë të hapura.”
Roli i tij në skemë, sipas rrëfimit, ishte teknik dhe konkret:
“Roli im? Ka qenë editimi i disa vulave, posterave, fotove, email-eve.”
Ai pranon se shkollat u përfshinë përmes një urdhri zyrtar:
“Me urdhër nga Ministria.”
Dhe se gjithçka ndodhi me shpejtësi:
“Është dhënë urdhri brenda tre ditësh. Si ka mundësi që jepet urdhri kaq shpejt?”
Arsyeja pse u krijua identiteti i rremë, sipas tij, ishte e thjeshtë:
“Për mbiemrin që kishte.”
Dhe efekti ishte i menjëhershëm:
“Sigurisht që pati efekt.”
Ai pranon se ka pasur edhe komunikime me zë:
“Sigurisht që ka pasur, si mendon se mund të flasësh mbi një vit dhe nuk do të kesh telefonata me zë?”
Falsifikimi i vulave të Ambasadës Amerikane kishte një qëllim të qartë:
“Për ta bërë procesin sa më të besueshëm.”
Kur u pyet nëse mendoi për pasojat, përgjigjja ishte e shkurtër:
“Nuk e mendova.”
Ndërsa reflektimi vjen më pas:
“Kur njeriu gjendet përballë një gjëje të mirë dhe që për të shkuar te ajo duhet të kalojë në pengesa shumë të këqija, gënjehet nga e mira dhe detyrohet ta bëjë pa e menduar në mënyrë të ftohtë.”
Ai e pranon se e dinte që bursat nuk do të realizoheshin:
“Isha unë ai që bëra vulat dhe e dija që s’do shkonin diku.”
Dhe momenti i frikës erdhi kur skema u zgjerua:
“Kur isha pjesë e saj dhe kjo gjë po bëhej shumë e madhe.”
Rrëfimi i Ermes Hoxhallit nxjerr në pah jo vetëm historinë e një mashtrimi individual, por një problem shumë më të thellë institucional. Një sistem ku mbiemri hap dyer, ku urdhrat jepen brenda ditësh pa verifikim dhe ku përgjegjësia, në fund, mbetet mbi një emër të vetëm.








