fbpx

Si ndryshoi qëndrimi i Ramës? Nga refuzimi i prerë i vaksinave ruse, te pranimi gradual i tyre

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryeministri Rama ka risjellë edhe njëherë në vëmendje cështjen  e vaksinave ruse e kineze në Shqipëri dhe duket se qëndrimi i tij ka ndryshuar. Nga Lezha ai u shpreh ditën e sotme se çdo gjë mund të ndodh “pasi jemi në Europë”, duke e lënë të hapur mundësinë e pranimit të vaksinave lindore. Por si ka ndryshuar qëndrimi i Ramës në vetëm dy muaj për këto vaksina.

Në 28 dhjetor të vitit të kaluar Ambasada Ruse, nëpërmjet një komunikimi me Endri Fugën, ofroi vaksinën e saj Sputnik V për Shqipërinë. Kreyministri Rama reagoi duke e quajtur këtë ofertë të Rusisë një provokim. Ai tha se mendonte se e gjitha kjo kishte qenë një meme dhe nuk ishte mirë për një vend serioz që të bëjë provikime të tilla qesharake.

“Kam menduar që ka qenë një meme, ajo që pashë që ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitter-i i Drejtorit të Komunikimit një ripostim të shefes së KE-së. Mendova se ishte meme, pasi për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim nuk po i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak dhe nuk është mirë që një vend serioz të bëhet qesharak përmes këtyre lloj postimeve. Shpreh keqardhje për këtë, se nuk shoh arsye që ambasada e Rusisë të përfshihet në prodhimin e memeve”, ishte shprehur Rama në 29 dhjetor të 2020-ës.

Por ky qëndrim ndryshoi gradualisht me ndryshimin e qëndrimit edhe nga vendet europiane për vaksinën ruse.

“Nëse një vaksinë është e sigurt dhe efektive, nuk ka rëndësi se në cilin shtet është prodhuar, atëherë sigurisht që mund të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë”, u shpreh ministri gjerman i Shëndetësisë, Spahn në 31 janar për vaksinat ruse. Pas këtyre deklaratave filloi edhe ndryshimi i qëndrimit të Ramës.

“Sa i përket vaksinave në anën lindore, ajo kineze dhe ruse, asnjë paragjykim të natyrës shkencore por respekt për shkencëtarët që i kanë dhënë jetë këtyre vaksinave por zgjedhja jonë është që do të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë. Është një zgjedhje e bërë prej nesh sepse këtu janë shumë komponentë bashkë”, tha Rama në 1 shkurt.

Ndërkohë, në 22 shkurt Rama shprehej se deklarata e tij ndoshta ishte keqkuptuar dhe se nuk kishte dyshim për vlerën e vaksinave ruse, por ato ende nuk ishin pranuar në nivelin e OBSH.

E kam ndjekur dhe këtë debat dhe dua të bëj një sqarim për të gjithë. Askush të mos mendojë se vaksina kineze apo ruse është në tezga dhe të paraqitesh që të paguash për ti marrë. Nuk është kështu. Dhe ndonjë shtet që ka deklaruar marrëveshjen, nuk ka marrë gjë. Merrni numrin e të vaksinuarve në Rusi. Nuk është i tillë që sasitë në dispozicion janë të mëdha. Mbase është keqkuptuar në një formë adekuate ajo cka unë kam thënë, duke harruar atë që kam theksuar që në krye të herës që nuk kemi asnjë arsye në botë që nuk kemi asnjë dyshim për vlerën e këtyre vaksinave, por nga njëra anë janë ende të paaprovuara në nivelin e OBSH-së”, ka thënë Rama (22 shkurt).

Ndërsa vetëm 5 ditë më parë gjatë një vizite në Bruksel, pyetur nëse Shqipëria do të pranojë vaksina ruse e kineze, Rama nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment.

“Do më lejoni të mos bëj asnjë koment”, tha Rama.

Qëndrimi i Ramës për vaksinat ruse e kineze ka ndryshuar sërish ditën e sotme. Nga Lezha ai tha se në këtë Europë çdo gjë mund të ndodhë dhe se disa vende të BE kanë nisur dialogun me Kinën e Rusinë. Rama tha se mosmarrja e vaksinave nga ana e Shqipërisë nuk është çështje gjeopolitike por i atribuohet mungesës së këtyre vaksinave në treg, duke lënë të kuptohet se nëse vaksinat do të ishin të disponueshme, ato do të merreshin edhe nga Shqipëria. Madje ai ka hequr dorë nga pretendimet se këto vaksina nuk janë efikase , duke thënë se zhvillimi kaq i shpejtë i tyre është si pasojë e teknologjisë.

 “Deri dje kënga ime thoshte që çdo bën vaki jeton në Tiranë, sot do të thosha që jetojmë ne Evropë. Evropa ka nisur të mendojë dhe disa vende si Gjermania, që është lokomotiva e saj, ka nisur të hapë dialogun me Kinën dhe Rusinë. Duket e pabesueshme por e vërtetë. Është e paimagjinueshme që kontinentin më i pasur i planetit ndodhet në këtë situatë, ashtu siç duket e pabesueshme kur shpërthimi i pandemisë i kapi gafil të gjithë deh gjunjëzoi të gjitha shtetet. Kështu është dhe me vaksinën. Duhet thënë që bota e zhvilluar ka thyer çdo rekord dhe parashikim për shpikjen e vaksinës për COVID-in. Sepse deri sot nuk është parë që një vaksinë të shpikej dhe prodhohej kaq shpejt. Kjo i atribuohet zhvillimit të teknologjisë e shkencës. Sot janë katër kompani bashkë me atë të fundit Amerikane që u komporua, të shtojmë dhe kinezen dhe rusen bëhen 6. Nuk jam aspak i bindur që mund të ndodhë, por çdo gjë mund të ndodhë në këtë Evropë. Ka rëndësi të bëjmë atë që duhet për njerëzit. Ka shumë njerëz që kujtojnë se mosmarrja e vaksinave kineze dhe ruse nga ne është çështje gjeopolitike. Vaksinat nuk kanë dalë në treg, nuk ka, në ç’sens? Janë shumë të vogla për nevojat e atyre që i kanë. Ku Evropa nuk ka vaksina sot të gjitha sasitë. Amerika nuk i ka stok vaksinat, prodhon vaksinon. Nuk është vaksina kineze që ka dalë në treg dhe ne s\po i blejmë. Për vaksinat do të lëmë çdo gjë tjetër, por nuk ka, nuk janë. Lufta që bëhet, është ajo të bëhet lufta për të marrë nga ata që kanë, që nuk i mjaftojnë atyre që i kanë. Jam krenar që nuk jemi në kushtet e atyre që nuk kanë bërë asnjë gjilpërë, edhe në Rajon. Kemi bërë vaksinimin e mjekëve, të atyre plus 80, por po ecim. 140 vende të botës nuk kanë bërë ende vaksinë. Para pak ditësh sasia më e madhe e vaksinës është ndarë në 10 shtete, është shumë pak. Evropa në këndvështrimin tim e ka të pamundur të vendosë një kusht të tillë. Evropa sot nuk ka të garantuara vaksinat e tjera nga kompanitë kineze dhe ruse, nuk i ka. Nga të gjitha venet, përjashto Britaninë e Madhe dhe Izraelin dhe të gjitha vendet e tjera të kësaj hemisfere kanë tension. Izraeli vuri një bast, siç dinë vetëm hebrenjtë ta bëjnë. Nuk është e rastësishme që e kanë diktuar fatin e botës historikisht, Izraeli parableu përpara aprovimit me trefishin e çmimit Pfizer-in. Bëri një marrëveshje spektakolare për nga basti dhe nga rezultati, i doli basti dhe mori rezultatin. Në vendet e Gjirit janë pak më mirë se vendet e Evropës. A e mendoni dot ju që një vend si Arabia Saudite nuk ndihmon asnjeri, flasim për një nga vendet më të pasura të botës. Kam shumë besim që diçka do e bëjmë dhe do e bëjmë shpejt”, tha kryeministri.

Në Shqipëri janë kryer deri tani 19,357 vaksinime sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. Siç duket procesi i ngadaltë i vaksinimit e ka shtyre Ramën që të hedh sytë edhe nga vaksinat ruse e kineze. Po ashtu kryeministri sërish po përpiqet të tregohet koherent me vendet europiane lidhur me qëndrimet për vaksinat ruse e kineze, ndërsa jo më larg se dy muaj më parë e quantë ofertën e Ambasadës Ruse provokim.

 

 

 

 

Shpërndaje
Share.

Komento