Si e bllokuan ministri Lleshaj dhe Muhamet Rrumbullaku vetingun në Polici (dokument)

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Zbardhen vonesat e bëra nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj për procesin e vetingut në polici. Këtë e ka bërë përmes njeriut të tij të besuar Muhamet Rrumbullaku të cilin e ka vendosur Drejtor të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) me urdhër të datës 17 janar 2019.  Kontrolli i procesit të vetingut në polici ka qenë motivi i vendosjes në këtë post të një oficeri me pastërti të dyshimtë (Është fotografuar duke drekuar me vrasësin e komisarit Dritan Lamaj).

Procesverbali i mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, ku ka qenë i pranishëm edhe Muhamet Rrumbullaku, i datës 15 qershor 2020, zbulon prapaskenën që ka bllokuar vetingun e uniformave blu.

Si u bllokua vetingu

Në datën 5 mars të vitit 2018, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së

Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”.

Ligji parashikonte që vlerësimi të bëhej në tri faza. Komision i Jashtëm Vlerësimi, i cili në përbërje të tij kishte 15 anëtarë. Komisioni i Jashtëm do të vlerësonte punonjësit që mbajnë grada apo funksione të larta në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, konkretisht 238 punonjës. Më pas në dy fazat e tjera vijonin ata të gradave të mesme dhe të ulëta,

Lleshaj, i emëruar pas ministrit Fatmir Xhafaj, nuk e ngriti fare këtë komision me justifikimin se donte të kursente 260 milionë lekë. Ministri kërkoi ndryshimin e ligjit, që u krye në datën 28 mars 2019.

Kështu, Lleshaj i dha SHÇBA-së, institucion në varësi të drejtpërdrejtë të tij, të drejtën që kryente vetingun e punonjësve të nivelit të mesëm drejtues dhe të atyre të nivelit bazë. Ligji parashikonte se kjo ishte atribut i Komisionit Qendror të Vlerësimit dhe Komisionit Vendor të Vlerësimit.

Nga ky moment, Rrumbullaku u bë njeriu kyç i kontrollit të Policisë, Gardës, SPAK-ut, Byrosë së Hetimit, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera, pasi kishte në dorë edhe për aprovimin e certifikatave të sigurisë. Sigurisht që roli i tij ishte ta vononte dhe jo ta çonte përpara këtë proces.

Si e vonoi Rrumbullaku për 1 vit vetingun

Gazeta Reforma disponon korrespondencat, ku Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit i është drejtuar qeverisë dhe Kuvendit, që ta fusë SHÇBA-në në punë. Ky institucion nuk ka kryer asnjë lloj vetingu, edhe pse e mori të drejtën me ligj.

Në këto shkresa parashtrohej pamundësia për të kryer procesin e vetingut, pasi SHÇBA pretendonte se “nuk kishte një datë se kur i lindte e drejta të ushtronte funksionet në kuadër të procesit të vetingut në Polici”. Vërtetohet se për rreth një vit ShÇBA nuk kreu detyrën që i ngarkonte ligji.

Pra, vetëkuptohet se Komisioni i Jashtëm nuk mund të kryente asnjë lloj vetingu pa SHÇBA-në. Po ashtu, institucionet e tjera si SHISH, ILDKPI, etj nuk i janë përgjigjur shkresave të komisionit.

Sikur të mos mjaftonin këto, pengesë në ushtrimin e veprimtarisë së komisionit ka qenë edhe mungesa e zyrave për punë. Në këto kushte, siç mësohet nga korrespondencat e komisionit me Kuvendin, ka nisur largimi i anëtarëve të përzgjedhur në Sekretariatin Teknik disa prej të cilëve edhe pse janë zgjedhur më pas kanë lënë detyrën. Gjithashtu dorëheqje ka pasur edhe në nivelin e komisionerëve.

Lleshaj hoqi afatin për vetingun

Deri në qershor 2019, u kryen vetëm 21 kontrolle të vetingut për drejtuesit e lartë të Policisë, nga 238 që duhet të kryheshin sipas ligjit. Pasi u ezuarua ky afat, pra një vit që parashikonte ligji, me propozim të Lleshajt dhe të SHÇBA-së, Këshilli i Ministrave ka kërkuar sërish ndryshime në ligjin për vetingun, me procedurë të përshpejtuar, më 17 prill 2020.

Në mes të pandemisë, kur askush nuk e kishte mendjen se çfarë gatuante Lleshaj dhe Rrumbullaku, janë bërë ndryshimet që e bllokuan përfundimisht vetingun në polici.

“Si pasojë e vonesës në shkëmbimin e informacionit me institucione të ndryshme, situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, që pezulluan përkohësisht aktivitetin e këtij institucioni”, kështu u justifikuan ndryshimet e treta të ligjit për vetingun në Polici.

Projektligji i ri në thelb është një skandal të madh. Me kërkesë të Lleshajt është hequr fare afati i vetingut në polici. Pra, mund të mos mbaroj kurrë, sepse Lleshajn dhe Rrumbullakun, tani nuk i detyron ligji.

SHÇBA pas këtij ligji u bë më e madhe se ministria duke shtuar me 30 përqind stafin.

“Tërmeti na la pa zyrë”

Pjesa më komike është përshkrimi i pengesave nga Ana Kapaj, kryetare Komisionit të Jashtëm të vetingut. Megjithëse, Instituti i Ndërtimit u ka shkruar se ndërtesa nuk ka probleme, komisioni ka qenë i tronditur për të kryer detyrën.

“Tërmeti i nëntorit ka sjellë pasiguri për infrastrukturën dhe vetë godinën ku ushtron aktivitetin Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. Për të qenë më konkretë, ne kemi marrë tri shkresa, që kanë ardhur nga Instituti i Ndërtimit. Në dy shkresat e para godina jonë konsiderohej e pabanueshme, ndërkohë që vetëm në shkresën e tretë na u dha një dritë jeshile, sepse thuhej që, pavarësisht se godina ka probleme të theksuara, duhet të bëhen riparime në mënyrë që ajo të jetë e banueshme. Kjo ka qenë situata e tërmetit dhe duam, nuk duam, ka krijuar një farë pasigurie në mbarëvajtjen e punës gjatë muajve dhjetor-janar”, tha Ana Kapaj.

Ndërkohë, SHÇBA ka krijuar një komision vetingu pa u miratuar akoma ndryshimi në ligj. Këtë e vërteton me fjalët e tij para deputetëve, Muhamet Rrumbullaku.

“Për vitin 2020, kemi ndërmarrë një sërë hapash organizative; kemi bërë një studim dhe një program të detajuar pune me prioritete për mënyrën se si do ta realizojmë këtë proces. Realisht, kemi ngritur një staf të kualifikuar, të cilët i janë nënshtruar një procesi të kalimit të vlerësimit nga momenti i hyrjes në fuqi dhe deri në momentin e përfundimit të procesit të vetingut të kësaj trupe vlerësuese, që janë 50 punonjës”, deklaroi Rrumbullaku. Madje ai konfimoi se “ata që janë bërë pjesë të trupës vlerësuese nuk kanë të bëjnë fare me policinë, është personel civil, marrë dhe i bërë pjesë e shërbimit nga jeta civile”.

SHÇBA instrumenti që kontrollon vetingun

Gjatë vitit 2019, në SHÇBA u ngrit edhe Sektori i Poligrafit i cili ka kompetencë kryerjen e ekzaminimeve Poligrafike si një risi e re e Shërbimit në kuadër të

zbatimit të Reformës në Drejtësi. “Testit të Poligrafit” si një procedurë e bazuar tek Ligji për SPAK-un i vitit 2016, të cilit do t’i nënshtrohen jo vetëm punonjësit e këtyre organeve, por edhe të institucioneve të tjera ligjzbatuese.

Nga SHÇBA kalon trajtimi i praktikave që certifikohen në kompetencë të DSIK për plotësim ose jo të kushteve të sigurisë. Në këtë kontekst, janë vlerësuar për CSP rreth 1780 praktika, për subjektet e Shërbimit dhe rreth 739 punonjës të Operatorëve Ekonomik, apo 1387 punonjës të Institucioneve Shtetërore.

Që nga gushti 2017, SHÇBA merr pjesë edhe në Grupin e Punës për Kontrollin e Figurës, ngritur dhe me funksionim pranë Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar “Sekret Shtetëror” dhe njëkohësisht në kryerjen e procedurave verifikuese për subjektet e rivlerësimit dhe “personat e lidhur” apo “persona të tjerë të lidhur” me ta.

/GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento