Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Ullyot, ka konfirmuar ekskluzivisht për Gazetën Express se takimi në mes Kosovës dhe Serbisë i paraparë të mbahej me 2 shtator në Washington është shtyrë për datën 4 shtator.
“Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien ka ftuar liderët e Serbisë dhe Kosovës në Washington për datën 4 shtator. Bisedimet janë shtyrë për dy ditë për shkak të agjendës”, ka thënë ai për Gazetën Express.
Ai ka shtuar se SHBA-ja mezi pret vazhdimin e bisedimeve, duke specifikuar se temat ekonomike janë baza drejt avancimit në procesin e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mezi presin këto bisedime të rëndësishme në mes të presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Hoti. Ne besojmë që progresi në ekonomi, përfshirë krijimin e vendeve të reja të punës dhe nxitja e rritjes ekonomike janë hapat e parë drejt avancimit në procesin e paqes”, ka përfunduar ai./GazetaExpress/