Shtensionimi i situatës, Lajçak dhe Escobar diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak njoftoi të mërkurën se me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka diskutuar në Bruksel për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjendjen aktuale dhe rrugën përpara, si dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Njoftimi u bë në një periudhë kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara presin që Kosova dhe Serbia të shtensionojnë situatën në veri të Kosovës në mënyrë që të hapet rruga për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat më shumicë serbe.
Qeveria e Kosovës është dakorduar për të mbajtur zgjedhje të reja në veri të vendit dhe është vënë në punë për hartimin e një dokumenti, nëpërmjet të cilit pritet të përcaktohet rregullat se si të organizohet një peticion që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve shqiptarë që nuk pranohen prej tyre. Për të pasur sukses peticioni, sipas zyrtarëve të qeverisë ai duhet të shprehë vullnetin e 20 për qind të votuesve të një komune.
Kryeministri Albin Kurti tha sot se Kosova është duke zbatuar me përpikëri dakordimin e arritur në Bratisllavë në muajin korrik për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
“Kanë kaluar dy muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz, e edhe më gjatë prej kur ka pasur protesta të dhunshme. Tani duhet parandaluar ri-eskalimi. Kur s’ka protesta të dhunshme të planifikuara, të organizuara nga Beogradi zyrtar, nuk ka eskalim në veriun e Kosovës”, tha ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se do të takohet me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për shkak të siç tha trysnisë së madhe me të cilën po përballen dhe vazhdimit të provokimeve nga kryeministri Albin Kurti. Ai paralajmëroi se së shpejti Serbia do të kërkojë një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të ngjarjeve të fundit në Kosovë.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pret përpjekje të reja në shtator për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.
“Unë besoj se kjo çështje është urgjente dhe se duhet të ketë një përparim në këtë çështje. Mendoj se të paktën ne e dimë se cilët janë përbërësit për një lloj të ardhmeje të qetë. Është shumë e qartë se ne kemi nevojë për një Asociacion të komunave serbe. Është e qartë se Kosova ka nevojë për qasje më të mirë në strukturat ndërkombëtare. Kështu që mendoj se ne në thelb e dimë se çfarë do të përpiqemi të bëjmë. Problemi është t’i bashkosh të gjitha. Është si një mozaik i madh. E hedh në tavolinë, pastaj duhet ta bashkosh. Nuk është e lehtë”, tha ai./VOA
Lexo më tej
A mund të falen me dekret ish-krerët e UÇK-së? Ish-prokurorja e EULEX: Po, këtë e bën edhe Trump
Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, thotë se katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të falen me…
Policia zgjeron hetimet për videot intime, Adrian Hila thirret në pyetje: “Jam i tronditur, më kanë hakeruar”
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka zgjeruar hetimet për publikimin në rrjetet sociale të disa videove me përmbajtje…
Rama që e bëri burgun politikë shtetërore, tani e kufizon edhe për korrupsionin: SPAK humbet “arrestin në burg” për disa vepra nën 5 vjet
Edi Rama po kërkon të ndryshojë një nga instrumentet që drejtësia ka përdorur edhe në hetimet për korrupsion.…
Mbi 6 muaj në kërkim/ Xhuana Nikollaj i dha fund jetës pas dhunës së dyshuar, arrestohet ish-partneri Eraldo Fizi
Më shumë se gjashtë muaj pas shpalljes në kërkim, është arrestuar në Lezhë Eraldo Fizi, i dyshuar për…