Shqiptarët trafikuan 30 ton marijuanë, 22 të arrestuar në megaoperacionin në Spanjë

Mossos d’Esquadra në Spanjë kanë kryer një operacion të madh policor kundër trafikut të marijuanës, pastrimit të parave dhe mbajtjes së armëve.
Rreth 500 policë katalanas u angazhuan në provincat e Barcelonës dhe Tarragona, duke kryer 30 kontrolle, gjatë të cilave u arrestuan 22 persona.
Ky aksion u bazua në një hetim të mëparshëm antidrogë që zbuloi një rrjet të fuqishëm pastrimi parash, duke përdorur sistemin e transaksioneve të paligjshme të njohur si “hawala” ose “fei chien.”
Operacioni i koduar “Doulu” filloi me bastisje në disa zona të Barcelonës, rrethinën e saj dhe Tarragona, duke u koordinuar nga njësia e krimeve ekonomike në bashkëpunim me Europolin.
Hetimi zbuloi një rrjet financiar që mbështeste organizata kriminale me bazë në Itali dhe lidhje në Spanjë.
Grupi ishte i përfshirë në trafikimin e 30 tonëve hashash dhe marijuanë, duke gjeneruar rreth 26 milionë euro në vit.
Shumica e të arrestuarve ishin me origjinë shqiptare dhe kineze.
Gjatë bastisjeve, autoritetet sekuestruan 4 milionë euro në para cash, një nga sasinë më të mëdha të kapura në historinë e Mossos d’Esquadra.
Ky operacion pasoi një hetim të vitit të kaluar, që zbuloi funksionimin e një sistemi të fshehtë bankar, të njohur si “fei chien” ose “paratë që fluturojnë,” i cili mundësonte transaksione financiare pa lëvizje fizike të parave.
Ky sistem përdorej për të financuar grupe kriminale në Evropë, duke marrë një komision nga 1.5% deri në 2%.
Gjatë fazës së parë të këtij hetimi, 70 persona u arrestuan: 50 në Itali dhe 20 në Spanjë.