Në një artikull të djeshëm nga gazeta reforma, në lidhje me moshapjen e gjykatave , pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë.
Kjo e fundit ka propozuar me anë të një akti normativ që gjykatat të rinisin nga puna.
Ministria e Drejtësisë shprehet se gjyqet duhet të zhvillohen, duke iu përmbajtur të gjitha rregullave ndaj koronavirusit.
Madje është propozuar se nëse do të jetë e mundur, gjyqet të zhvillohen edhe online.
Prej 85 ditësh vendi ynë ka ngelur pa gjykata edhe pse të gjitha aktivitetet e tjera të mundhsme kanë nisur nga puna e tyre me urdhër të qeverisë.
Të gjendur në “rrugë të madhe” prej kaq ditësh, shumë qytetarë u janë drejtuar mediave për të zgjidhur problemet, ku dosjet e tyre kanë “fjetur” prej tre muajsh në zyrat e gjykatave.
Në kuadër të kësaj situate, ka pasur reagime të shumta nga avokatët, të cilëve përveçse u është bllokuar aktiviteti, nuk kanë përfituar as nga paketa e ndihmës ekonomike që qeveria vuri në dispozicion të kategorive të prekura nga izolimi.
Kjo zvarritje prej 85 ditësh nga ana e gjykatave ka treguar paaftësi nga ana e tyre, për të mos llogaritur këtu edhe numrin ë çështjeve të grumbulluara që presin të shqyrtohen.
Propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë:
KËSHILLI I MINISTRAVE
AKT NORMATIV
Nr.______, datë____.____.2020
“PËR DISA NDRYSHIME NË AKTIN NORMATIV NR. 9, DATË 25.3.2020 “PËR MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA NË FUSHËN E VEPRIMTARISË GJYQËSORE, GJATË KOHËZGJATJES SË GJENDJES SË EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19”, MIRATUAR ME LIGJIN NR. 30/2020, SI DHE SHFUQIZIMIN E AKTIT NORMATIV NR. 13, DATË 2.4.2020, “PЁR MARRJEN E MASAVE TЁ VEÇANTA NЁ FUSHЁN E VEPRIMTARISЁ SЁ SHЁRBIMIT PЁRMBARIMOR GJYQЁSOR, NDЁRMJETЁSIMIT DHE ADMINISTRIMIT TЁ PROCEDURAVE TЁ FALIMENTIMIT GJATЁ KOHЁZGJATJES SЁ GJENDJES SЁ EPIDEMISЁ SЁ SHKAKTUAR NGA COVID-19”, MIRATUAR ME LIGJIN NR. 34/2020”
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në aktin normativ nr. 9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Neni 3, pika 1, ndryshohet si më poshtë vijon:
Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19 gjykatat zhvillojnë seancat gjyqësore duke zbatuar masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore sipas rregullave që miratohen në përputhje me parashikimet e nenit 3, pika 4 të këtij akti normativ.
Neni 3, pika 2 shfuqizohet.
Neni 3, pika 3, shfuqizohet.
Në nenin 3, pika 4, shkronja “ç” fjalia “për çështjet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, në zbatim të pikës 2, të nenit 20, të ligjit nr.49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të nenit 173, të Kodit të Procedurës Civile, ose të nenit 340, të Kodit të Procedurës Penale” shfuqizohet.
Neni 2
Neni 4 ndryshohet si më poshtë vijon:
Neni 4
Pjesëmarrja në distancë në seanca gjyqësore
Gjykata mund të vendosë që pjesëmarrja e palëve, ndërhyrësit kryesor, ndërhyrësit dytësor, personit të tretë ose përfaqësuesve të tyre, prokurorit, avokatit të shtetit, dëshmitarëve, ekspertëve, përkthyesve si dhe çdo pjesëmarrësi tjetër të interesuar, në të gjitha seancat gjyqësore të sigurohet nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas marrjes së mendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Minsitrit të Drejtësisë, cakton listën e programeve kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim.
Mënyra e ndërlidhjes në distancë duhet të sigurojë në çdo rast shikueshmërinë e ndërsjellë të personave të pranishëm në të dyja vendet e ndërlidhura dhe mundësinë e dëgjimit nga të gjitha palët.
Nëse parashikohet pjesëmarrja e disa palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, secili prej tyre duhet të vendoset në kushte që të mund të shikojë dhe të dëgjojë të tjerët.
Në rastet kur seancat gjyqësore zhvillohen në distancë, provat, dokumentet shkresor si dhe çdo akt tjetër procedural i paraqiten gjykatës ose edhe palëve nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik si dhe dërgohen, brenda të njëjtës ditë, nëpërmjet shërbimit postar, me dërgesë të porositur.
Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet të ruhet nga palët deri në marrjen e vendimit formë të prerë. Në rast se pala nuk i dërgon aktet, sipas kësaj pike, konsiderohet që ato nuk janë paraqitur.
Neni 3
Aktet nënligjore
Këshillat dhe organet e administrimit gjyqësor të çdo gjykate, miratojnë masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, sipas përcaktimit të pikës 4, të nenit 3, të aktit normativ nr. 9 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga covid-19”, miratuar me ligjin nr. 30/2020, jo më vonë se 5 ditë nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ.
Neni 4
Dispozitë tranzitore
Afatet që kishin filluar të ecin por u pezulluan sipas nenit 3, pika 2, të aktit normativ nr. 9 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga covid-19”, fillojnë nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ për pjesën e paplotësuar të afatit. Afatet që duhet të fillonin gjatë periudhës së pezullimit, fillojnë nga data e hyrjes së fuqi të këtij akti normativ.
Neni 5
Shfuqizime
Aktit normativ nr. 13, datë 2.4.2020, “Pёr marrjen e masave tё veçanta nё fushёn e veprimtarisё sё shёrbimit pёrmbarimor gjyqёsor, ndёrmjetёsimit dhe administrimit tё procedurave tё falimentimit gjatё kohёzgjatjes sё gjendjes sё epidemisё sё shkaktuar nga covid-19”, miratuar me ligjin nr. 34/2020”, shfuqizohet.
Neni 5
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.