Shqipëria është renditur sërish mes vendeve që shkelin rregullisht të drejtat e punëtorëve, sipas indeksit vjetor të Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC). Në raportin më të fundit për vitin 2025, vendi ynë klasifikohet në nivelin e tretë nga pesë kategori të mundshme, që nënkupton se shkeljet janë të vazhdueshme dhe sistematike.
Ky indeks global vlerëson 151 shtete mbi bazën e 87 treguesve të lidhur me standardet e Kombeve të Bashkuara dhe traktatet ndërkombëtare. Ai kategorizon vendet nga niveli më i mirë, ku shkeljet janë sporadike, deri tek më i rëndi – ku punëtorët nuk gëzojnë asnjë garanci ligjore.
Shqipëria, në të njëjtin grup me Hungarinë dhe Mbretërinë e Bashkuar
Raporti evidenton abuzime të pushtetit ligjor nga disa qeveri europiane, përfshirë Shqipërinë, që kanë zgjeruar në mënyrë të tepruar përkufizimin e “shërbimeve thelbësore” me synim kufizimin e të drejtës së grevës. Përkrah vendit tonë renditen Hungaria, Moldavia, Mali i Zi dhe Mbretëria e Bashkuar, që sipas ITUC kanë ndjekur të njëjtën praktikë shtypëse.
Sipas raportit, ndalimi ose kufizimi i grevave është bërë një normë globale, e aplikuar në 131 shtete – ose 87% e vendeve të analizuar – një shifër që mbetet e pandryshuar nga viti 2024, por shumë më e lartë krahasuar me vitin 2014 (63%).
Grevat dhe sindikatat, nën sulm ndërkombëtar
Në raport theksohet se e drejta për grevë, e njohur nga Konventa 87 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e ratifikuar nga 158 shtete, po injorohet masivisht. Përveç kufizimeve ligjore, janë shtuar edhe rastet e frikësimit dhe ndëshkimit ndaj sindikalistëve, përfshirë në Belgjikë dhe Zvicër, ku aktivistë janë arrestuar ose gjobitur për pjesëmarrje në greva.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga ITUC është përhapja e “sindikatave të verdha” – struktura sindikale të kontrolluara nga punëdhënësit – të cilat dobësojnë qëllimin e mbrojtjes së të drejtave të punonjësve. Këto përpjekje për të minuar aktivitetin sindikal janë identifikuar në disa shtete europiane.
Vetëm 7 vende në Evropë ruajnë standardet më të larta
Raporti i këtij viti ngre alarmin për një përkeqësim të vazhdueshëm global të të drejtave të punëtorëve. Vetëm 7 vende evropiane kanë ruajtur renditjen më të lartë të mundshme, një rënie e ndjeshme nga viti 2014, kur në këtë kategori ishin 18 shtete.
Vendet më të këqija për të drejtat e punëtorëve
Ndërkohë, Bangladeshi, Bjellorusia, Ekuadori, Egjipti, Eswatini, Mianmari, Nigeria, Filipinet, Tunizia dhe Turqia janë klasifikuar si vendet me situatën më të keqe për të drejtat e punëtorëve, ku shtypja është ekstreme dhe pa asnjë mbrojtje ligjore efektive.
“Ky trend i tmerrshëm nënvizon ashpërsinë e sulmit të vazhdueshëm nga qeveritë dhe korporatat mbi të drejtat dhe liritë themelore të punës gjatë dekadës së fundit,” thuhet në raportin e ITUC.
Situata e përshkruar nga raporti përbën një sinjal të fortë alarmi për Shqipërinë dhe rajonin, duke theksuar nevojën urgjente për rishikim të politikave ligjore dhe mbrojtje efektive të të drejtave sindikale dhe sociale.