Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një postimi në Facebook ka zbardhur takimin që ka zhvilluar sot me Presidentin. Basha shprehet se ka ndarë me Metën shqetësimet rreth situatës së COVID-19 dhe i ka thënë se qeveria ka dështuar në menaxhimin e situatës.
Por përveç temës së pandemisë kreu i PD ka diskutuar me presidentin edhe për Reformën Zgjedhore ku thotë se Edi Rama po tenton të prishë një marrëveshje të negociuar me ndërmjetësimin e SHBA, BE dhe Britanisë Madhe, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve me një klimë sadopak normale. Më tej Basha shton se opozita e Bashkuar do të bëjë gjithçka që faturën, e cila do të jetë shumë e rëndë, të mos e paguajë Shqipëria dhe shqiptarët, por ta paguajnë ata që janë përgjegjësit e kësaj situate. Në fund i ka thënë Presidentit se opozita mbështet qëndrimin e ndërkombëtarëve, dhe se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime të njëanshme kushtetuese, të dakordësisë së 5 Qershorit
Presidenti Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim 50 minutësh me kreun e opozitës Lulzim Basha.Meta ka kërkuar që opozita të ruajë qetësinë si dhe të jetë e vetëpërmbajtur. Meta ka kërkuar gjithashtu qe opozita t’i qëndrojë marrëveshjes së nënshkruar ne 5 qershor. Kreu i shtetit është shprehur që është e rëndësishme të mos bëhen aventura me Kushtetutën, mësohet të jetë shprehur Meta, duke i dërguar kështu një sinjal direkt kryeministrit Edi Rama.
Mesazhi i Bashës
Sot u takova me Presidentin e Republikës Ilir Meta, me të cilin ndava së pari shqetësimin për situatën jashtë kontrollit të pandemisë shoqëruar me shifrat e larta të ditëve të fundit të qytetarëve të prekur me Covid-19. Është e qartë se dështimi më i madh i qeverisë është kthimi i spitaleve në qëndra infeksioni, ndërkohë që vazhdon përpjekja e përgjegjësve të kësaj situate të rënduar, për t’u fshehur dhe për t’ia lënë këtë faturë qytetarëve.
Për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë, vendi vazhdon të mbetet në listën e kuqe të Bashkimit Europian, duke i izoluar shqiptarët.
Kriza e thellë ekonomike, që po kap dimensione të panjohura për Shqipërinë në këto 23 vitet e fundit, ishte gjithashtu në qëndër të bisedës së sotme me Kreun e Shtetit.
Kriza e menaxhimit të pandemisë dhe ajo ekonomike, i ka rrënuar shqiptarët dhe zbrazur xhepat e tyre. Pikërisht në këtë situatë, Edi Rama po tenton të prishë një marrëveshje të negociuar me ndërmjetësimin e SHBA, BE dhe Britanisë Madhe, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve me një klimë sadopak normale.
Pasojat e një hapi të tillë, do të jenë shumë të rënda për stabilitetin dhe integrimin europian të vendit. Bundestagu gjerman, që është autoriteti, i cili hap ose nuk hap dritën jeshile për negociatat, u shpreh fare qartë dje. Po kështu, është shprehur edhe Komisioneri për Zgjerimin. Prej frikës së Edi Ramës nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit, Shqipëria po rrezikon një izolim të dytë.
Opozita e Bashkuar do të bëjë gjithçka që faturën, e cila do të jetë shumë e rëndë, të mos e paguajë Shqipëria dhe shqiptarët, por ta paguajnë ata që janë përgjegjësit e kësaj situate. Ndryshimi që duan shqiptarët është i pandalshëm dhe rotacioni politik i pashmangshëm.
I rikonfirmova Kreut të Shtetit se Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndrimet e qarta të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe Bundestagut dhe i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime të njëanshme kushtetuese, të Dakordësisë së 5 Qershorit.