Situata e tensionuar në veri të Kosovës duket se do të fillojë të dialogohet me ndërmjetësimin e Brukselit. Kosova dhe Serbia pritet të rifillojnë bisedimet në fund të gushtit. Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuҫiq, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, janë ftuar në Bruksel nga shefi i diplomacisë evropiane Borrel.
Shefi i politikës së Jashtme dhe të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrel, ka ftuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për një takim të radhës në Bruksel, për të diskutuar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Këto bisedime lehtësohen nga Bashkimi Evropian dhe takimi i radhës që pritet të realizohet në fund të gushit, ka për qëllim që të shmangë, siҫ thuhet, “tensionet si ato të së dielës që ndodhën në veriun e Kosovës”. Zyra e Josep Borrel, nuk ka dhënë datë të saktë të takimit, por, zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thanë se “një takim i radhës, pritet të bëhet në javën e tretë të këtij muaji”.
Kryeministri Albin Kurti, tha se ai kurdo që merr ftesë nga zoti Borrell, është i gatshëm të shkojë në Bruksel.
“Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston”, tha kryeministri Kurti në një konferencë me gazetarë.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se do të shkojë në Bruksel për takim, por “nuk pret asgjë nga bisedimet me kryeministrin Albin Kurti”.
“Do të shkoj në Bruksel, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me Kurtin ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, tha presidenti Vuҫiq.
Situata në veriun e Kosovës u përshkallëzua kur grupe serbësh lokal, vendosën barrikada në rrugë dhe sulmuan policinë e Kosovës, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë në dokumente udhëtimi dhe targa serbe të makinave.
Situata u qetësua pasi qeveria e Kosovës të njëjtën ditë vendosi që ta shtyjë për një muaj vendimin për reciprocitet, me kërkesë të SHBA-së. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, shkroi në Twitter se “Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e udhëheqësve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet e udhëtimit”, dhe se sipas tij “të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të martën (02.08) në mbrëmje zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për tensionet e fundit në veri. Ai shkroi në Twitter se “të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.
Edhe shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, nga ana e tij tha, se “çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve evropiane”./DW/