Shpeshherë kemi dëgjiar fjalën e ikjes së rinisë nga vendi, apo që çiftet e reja nuk bëjnë më aq shumë si dikur. Këto faktorë konkretizohen në shifrat e nxënësve që ulen në bankat e shkollave, i cili në 3 dekada është përgjysmuar.
Në vitet e para të tranzicionit deri në 1994-1995 regjistroheshin në klasë të parë rreth 77 mijë nxënës në vit. Por nga viti në vit ky numër ka rënë me shpejtësi prej emigracionit të lartë dhe rënies së lindshmërisë.
Këtë vit shkollor pritet të nisin klasën e parë vetëm 29 mijë fëmijë 2.6 herë më pak se para dy dekadash dhe rreth 4% më i ulët se një vit më parë. Ekspertët e arsimit pohuan se ky numër do të ishte edhe më i ulët nëse Ministria e Arsimit nuk do të kishte ulur kriteret e moshës së pranimit në klasën e parë. Rënia shihet të jetë më e fortë për shkollat e mesme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit që i referohen rezultateve paraprake janë regjistruar në klasën e 10 rreth 28 mijë nxënës në vitin akademik 2022-2023 nga rreth 31 mijë vitin kaluar akademik me një rënie gati 9 për qind. Rënia më e madhe në ketë grup-moshë, veç të tjerash i dedikohet emigracionit të lartë te të rinjve minoren.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se ishin të regjistruar në arsimin 9-vjeçar në vitin 2021 ishte 278 mijë nxënës me një rënie vjetore 3 për qind ndërsa në 10 vite rënia ishte 34 për qind. Po sipas INSTAT vitin e kaluar akademik ishin të regjistruar në arsimin e mesëm rreth 103 mijë nxënës më një rënie vjetore 4.1 për qind dhe 31 për qind më pak se në vitin 2020. Rezultatet finale të regjistrimeve pritet të përpunohen në fund të muajit shtator për shkak të regjistrimeve me disa raunde në E-albania ketë vit.
Në total, në vitin 2021 ishin rreth 383 mijë nxënës të regjistruar në arsimin parauniversitar, sipas INSTAT, pothuajse përgjysmim në raport me vitin 1991, kur shifra ishte rreth 687 mijë (shiko grafikun: Numri i nxënësve të regjistruar gjithsej në arsimin paraunversitar 1991-2021)
Sistemi arsimor para- universitar po preket rëndë nga flukset e larta të emigracionit në mosha të reja. Në vitin 2021 u regjistrua dhe niveli më i lartë i të larguarve neto nga vendi në një dekadë, me gati 33 mijë persona që ikën pa kthim. Ritmet e ikjes u përshpejtuan ndjeshëm pas frenimin në periudhën e pandemisë, në 2020-n.
Popullsia e Shqipërisë filloi të ulet që nga viti 1990, si pasojë e një emigracioni masiv. INSTAT vlerëson se gjatë viteve 2011-2021 vlerësohet se mesatarisht 42 mijë persona emigruan çdo vit. Sipas anketave të INSTAT arsyet kryesore për emigracionin kanë të bëjnë me mundësi më të mira për punë, arsim dhe kujdes shëndetësor. Grup-mosha e popullsisë 0-14 vjeç ka rënë nga 21,6 % në vitin 2011 në 16,3 % në 2022.
Përveç emigracionit sistemi arsimor në qarqe është ndikuar rëndë edhe nga migrimi i brendshëm. Zhvendosja e popullsisë në Rajonin e Qendrës ka ulur numrin e nxënësve në qarqe dhe rritur numrin e klasave kolektive, të cilat cenojnë cilësinë e nxënies.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në 1 janar 2022 rezulton që rreth një e treta e popullsisë jeton në qarkun e Tiranës, qarku më i populluar në vend, ndjekur nga qarqet e Durrësit dhe Fierit, me rreth 10 për qind të popullsisë secili. Qarku i Gjirokastrës ka përqindjen më të ulët të popullsisë, me rreth 2,0 % të popullsisë së përgjithshme, ndjekur nga qarku i Kukësit, i cili ka 2,6 % të popullsisë së përgjithshme. Vetëm qarku i Tiranës ka shënuan rritje të popullsisë për periudhën 2021-2022./Monitor/