Gjatë ditës së sotme, kudo në vend, nisi procesi mësimor nëpër shkolla për të gjithë nxënësit e arsimit fillor dhe parauniversitar.
Mësimi ka nisur sot për mbi 400 mijë nxënës. Sipas vendimit të Ministrisë së (Ç)Arsimit, zhvillimi i mësimit do jetë sërish një alternim mes atij në shkollë dhe online.
Mirëpo në kushtet dhe rrethanat që ndodhet Shqipëria momentalisht për shkak edhe të pandemisë dhe përmbytjeve, në shumë vende ky vendim u kundërshtua apo u bojkotua edhe nga vetë nxënësit.
Një prej qyteteve ku nxënësit e shkollave 9-vjeçare bojkotuan që në ditën e parë mësimin, ishin nxënësit e shkollave të Elbasanit. Në disa prej tyre nxënësit u ankuan edhe për mospasjen e kushteve bazike përgjatë procesit mësimor në kohë dimri, ngrohjen!
Për shkak të reshjeve të shumta dhe ftohtit, nxënësit e shkollës “Europa” kanë dalë në protestë bashkë me prindërit e tyre duke kërkuar nga institucioni shkollor ku ata mësonin, ngrohje. Me pankarta në duar ‘Duam ngrohje’ nxënësit e prindërit e tyre kanë qëndruar përpara shkollës të irrituar.
Disa nxënës të kësaj shkolle, u prononcuan edhe për mediat locale të Elbasanit, duke shprehur irritimin e tyre për mosplotësimin e kushteve bazike në këtë kohë të ftohtë dhe me reshje.
“Mbajmë ndonjë rezistencë, por edhe ajo nuk ngroh, ka raste që bie edhe automati. Nuk shkruajmë dot në shkollë të veshur kaq trash, e gjithë shkolla nuk ka ngrohëse. Bashkia na kishte premtuar se do të vendoste kaldaja, por premtimi nuk u mbajt”, është shprehur një nxënës.
Prindërit e këtyre nxënësve u shprehën para kamerave se kaldajat e shkollës kanë tre vite që kanë dalë jashtë funksionit dhe fëmijët e tyre shkojnë në shkollë me veshje të trasha për të mos u ftohur.
“Kam shumë ftohtë. Nuk shkruaj dot. Vij nga shtëpia me xhup, me shall, me dorashka dhe nuk shkruaj dot. Pavarësisht se s’ka bërë shumë ftohtë deri tani, do të bëjë. Kemi kaluar 5-6 vite pa ngrohje. Duam ngrohje dhe kjo është thirrja kryesore”, ka deklaruar një tjetër nxënës.
Bojkotimi i shkollave në Lezhë
Dhjetëra fëmijë në disa fshatra të Lezhës nuk mundën sot që të shkonin në shkolla për shkak se reshjet e shiut kishin nxjerrë nga shtrati përronj dhe lumenjtë e zonave, duke e bërë të pakalueshëm rrugën e tyre për në shkollë.
Deri më tani sipërfaqja e tokave nën ujë në qarkun e Lezhës është në total momentalisht 4 mijë e 300 hektarë.
Në fshatin Malecaj, 44 fëmijë si dhe mësuesi i tyre i cili ndodhej në fshatin tjetër pranë tyre, në Ungrej, hasën vështirësi prej rrugëve të përmbytura apo shembura, duke rrezikuar për të shkuar në shkollë.
Gjithashtu edhe dhjetëra fëmijëve të tjerë në zonat përreth, iu pamundësua mësimi për shkak se banesat e tyre janë nën rrethimin e ujit.
Pakënaqësi nga nxënësit edhe në Tiranë
Shumë nxënës gjimnazistë të Tiranës janë shprehur se kanë pakënaqësi për mënyrën se si Ministria e Arsimit dhe Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR), po tentojnë të organizojnë procesin e alternuar të mësimdhënëies.
“Nuk më pëlqen mënyrë se si zhvillohet. Është shumë e vështirë për t’u lidhur me mësuesit në qoftë se ke ndonjë pyetje”, shprehet një nxënëse e shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë.
“Na japin disa video për të parë, e cila mua nuk më duket një mënyrë e mirë për të mësuar. Më mirë është në shkollë sepse kupton më shumë”, ka deklaruar një nxënës tjetër.
Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, si dhe klasa e 12-të po e zhvillojnë mësimin fizikisht, ndërsa pjesa tjetër në mënyrë të alternuar.
Sipas zëvendësministres së Arsimit, Nina Guga, në 15 shkolla të vendit është pezulluar mësimi ditën e sotme, për shkak të reshjeve të dendura të shiut mësimi është pezulluar./Gazetareforma.com/