Rrallë herë ka ndodhur që djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berishën, ta shohim në një studio ku është duke iu përgjigjur pyetje, megjithatë mbrëmjen e sotme ka ndodhur.
Nga studio e emisionit “Të Paekspozuarit”, Shkëlzen Berisha i është përgjigjur pyetjes që lidhej drejtpërdrejt me telefonatën e tij me Mihal Delijorgjin pas tragjedisë së tmerrshme të Gërdecit.
Mirëpo përgjigjja është shumë larg asaj që është përfolur gjithë këto vite, pasi për herë të parë Berisha thotë se biseda nuk ka pasur asgjë më shumë sesa thjesht një interesim për një të afërmin e tij, i cili në atë kohë punonte në repartin famëkeq në Gërdec.
Berisha thotë se një telefonatë në tabulat nuk do të thotë asgjë, pasi është normale që të kesh kontakt me persona dhe kjo nuk të lidh drejtpërdrejt me biznesin e tij dhe gjithë çfarë është thënë nuk e quan më tepër se një “ngrehinë tjetër shpifjesh”.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: Zoti Mihal Deligjorgji, pas shpërthimit në Gërdec, ka komunikuar me stafin më të afërt, zotin Mediu dhe me ju. Përse?
Shkëlzen Berisha: Kjo është një ngrehinë tjetër shpifjesh, që lidhet me çështjen e tabulateve. Dua t’ju pyes diçka, nëse ju flisni me dikë në telefon, a ju bën kjo juve ortak apo bashkëpjesëmarrës në biznesin e personit me të cilin flisni në telefon?
Ylli Rakipi: Jo, sigurisht jo. Me Delijorgjin flas dhe unë, flet pronari i televizionit Irfani, të gjithë flasin.
Shkëlzen Berisha: Zoti Rama ka 200 telefonata me zotin Delijorgji, të cilit i ka dhënë leje ndërtimi sepse ka qenë kryetar bashkie. Nuk e akuzon njeri zotin Rama, që është pjesëtar në biznesin e ndërtimit të zotit Delijorgji për shkak të telefonatave.
Ylli Rakipi: Po ai nuk e ka bërë telefonatë, 5 minuta pas shpërthimit të Gërdecit.
Shkëlzen Berisha: Mua, zoti Delijorgji nuk më ka marrë në telefon. E kam marrë unë i pari në telefon. Unë kam qenë në Suedi, në Stockholm, ditën kur ka ndodhur ngjarja. Persona të afërm, të ish bashkëshortit të tezes time, të ndjerit zoti Hoxha, i cili humbi jetën, në këtë aksident, më kanë kërkuar të interesohem tek personi në fjalë. Unë e kam marrë në telefon. Nuk është përgjigjur, sepse me siguri ka qenë në një moment të vështirë.
Ylli Rakipi: Mos gaboj është një njeri i afërt juaji, që zoti Berisha nga nxitimi i ngatërroi emrin.
Shkëlzen Berisha: Jo nuk është nga nxitimi. Zoti Muhamed Hoxha, ish bashkëshorti i tezes time. Familja ime, si shumë familje të tjera shqiptare, ka brenda vetes, historinë e emigracionit. Njerëzit shkojnë në emigrim. Ka raste nuk shihen prej vitesh. Gjyshër që nuk njohin nipërit, teze që nuk njohin nipërit. Në këtë aspekt, i ndjeri sapo ishte kthyer nga emigracioni bashkë me tezen. Unë e kam takuar dy ose tre herë. Nuk e dija që punonte atje, e kam marrë vesh nga këta të afërm, që më kanë telefonuar dhe më kanë kërkuar të interesohem. Babai im nuk e ka takuar kurrë personin në fjalë, edhe anëtarë të tjerë të familjes time, ka patur nga ata që nuk s’e kanë takuar asnjëherë.