Presidenti i vendit Ilir Meta, i ka kthyer mbrapsht Kuvendit, ligjin për Sektorin Minerar dhe ka kërkuar që institucioni aktual të mos miratojë ligje, pasi sipas tij, nuk e lejon Kushtetuta. Në arsyetimet e publikuara, Meta pretendon se ndryshimet shkelin rëndë Kushtetutën, pasi amendamentet janë miratuar përmes një procedure aspak transparente dhe heq të drejtën e pronës. Kreu i Shtetit evidenton se procedura e propozimit, shqyrtimit dhe miratimit të ligjit karakterizohet nga vullneti për miratimin e normave ligjore preferenciale e favorizuese, duke shpërdoruar kështu funksionin legjislativ të Kuvendit.
Në argumentimin e tij pë kthimin e këtij ligji, kreu i shtetit thekson se “Sipas nenit 65, pika 4, të Kushtetutës, Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme”.
“Praktikisht, në Republikën e Shqipërisë, pas zgjedhjeve të datës 25 prill 2021, është ushtruar e drejta e shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend, pavarësisht problematikave të adresuara dhe ende të pazgjidhura që mbart i gjithë procesi. Në këtë kuptim, shqyrtimi apo miratimi i ligjeve që mbartin një vlerë të posaçme si për të drejtat dhe parimet kushtetuese, ashtu edhe për aktivitetin ekonomik, makro dhe mikro, në vendin tonë, në analizë të periudhës në të cilën janë synuar të miratohen, nuk duhet të jenë objekt vlerësimi, shqyrtimi dhe vendimmarrjeje nga institucioni në periudhat fundore të mandatit të tij. Legjitimiteti buron nga votëbesimi i qytetarëve, të cilët një herë në 4-vjet thirren për të shprehur në liri vullnetin e tyre. Ky legjitimet konsiderohet i plotë, kur ai ushtrohet në përputhje me vullnetin e tyre të shprehur dhe sipas pritshmërive dhe interesit të tyre (qytetarëve)”, shprehet Presidenti.
Në argumentin e tij theksohet se “në kushtet kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë, e kanë rishprehur vullnetin e tyre në 25 prill 2021, raporti dhe standardi që duhet të ruhet nga ky Kuvend aktual është posaçërisht ai i lënies për reflektim dhe miratim të projektligjeve me rëndësi të depozituara tashmë, nga ana e deputetëve të rinj të zgjedhur, duke lejuar kështu që qëllimet e synimet e projekteve ligjore të vlerësohen pikërisht prej tyre. Kjo gjithnjë me përjashtim të rasteve të veçanta dhe të vendosjes së masave të jashtëzakonshme, që interesi publik e kërkon, e ku sigurisht ligji objekt shqyrtimi nuk përfshihet”.
Ai thekson se Kuvendi ka mungesë legjitimiteti për të miratuar ligje. Pavarësisht kësaj, Meta thekson se “Ligji nr. 65/2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, në nenin 1; pikën 2 të nenit 4; pikën 3 të nenit 5; pikën 1 të nenit 6; pikën 2 të nenit 7; nenin 9; pikën 2 të nenit 10; nenin 20; nenin 23; bie ndesh me ligjin themeltar të shtetit, parimet kushtetuese dhe krijon hapësirë për abuzivitet”.
Konkluzioni i Metës
Në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, dhe 93 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 65/2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, pasi ky ligj është hartuar, propozuar, shqyrtuar dhe miratuar në kundërshtim me parimet dhe të drejtat themelore që parashikohen në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; pa një konsultim publik gjithëpërfshirës; pa transparencë; i diktuar jo për plotësimin e nevojave reale të sektorit minerar, por për favorizimin e subjekteve të caktuar që operojnë në këtë fushë, si dhe nuk përmbush pritshmëritë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për një shfrytëzim objektiv të pasurisë kombëtare që i takon të gjithëve, duke cenuar kështu, të ardhurat në buxhetin e shtetit, e rrjedhimisht me ndikim negativ në mënyrën se si përfitohen e përdoren të ardhurat e gjeneruara nga pasuria kombëtare minerare për mbulimin e nevojave të qytetarëve.