Një tjetër sasi kokaine është gjetur në portin e Durrësit në kontnierët e firmës “Alba Exotic Fruit”. Pasi herën e parë u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, këtë herë janë gjetur edhe 6.5 kliogramë lëndë narkotike.
Kjo është hera e dytë që gjendet drogë në kontenierët e firmës, pasi herën e parë u gjetën në kontenierin me banana që vinte nga Amerika Latine. Në pranga për drogën e gjetur ka rënë menaxheri i firmës, ndërsa është shpallur në kërkim administrator.
Njoftimi i policisë:
Port, Durrës
Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, dhe veprimeve hetimore të kryera më datë 17.07.2021, ku në Port u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontenierëve për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar pasditen e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada” pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut.
Në nisje të operacionit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.