Gjykata e Posaçme e Apelit, ka lënë në fuqi ditën e sotme vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke mbajtur sërish në sekuestro preventive pronat dhe pasuritë e presidentit të “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqit, përfshirë edhe dy televizionet Ora news dhe RTV Ora.
Avokati mbrojtës i Ylli Ndroqit, Alban Qafa, në një deklaratë dhënë për mediat, u shpreh se presidenti i “Yldon Media Group”, do të apelojë këtë vendim në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e Apelit miratoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe la në fuqi atë. Ne do të bëjmë Apel në Gjykatën e Lartë.Gjykata vetëm shpalli vendimin dhe nuk e argumentoi. Do të njihemi me vendimin e plotë dhe do ta çojmë në gjykatë të lartë do ta rekursojmë.
Dua të theksoj që ky është një vendim i pabazuar në prova. Ne kemi çuar prova dhe ato prona që janë prona të përfituara me ligjin 7501 me privatizim nga komunalja e banesa. Të gjitha qëndrojnë në sekuestrim edhe pse kredia e tyre ecën”, ka thënë avokati Qafa.
Ndër të tjera, avokati mbrojtës i Ylli Ndroqit deklaroi se vendimi u mor mbi bazën e indicieve (të dhëna që mund të çojnë në prova) dhe jo provave që pala mbrojtëse vuri në dispozicion. Gjithashtu avokati Qafa deklaroi se nuk ka asgjë të vërtetë mbi akuzat se Ylli Ndroqi ka qenë i dënuar në Turqi si pjesë e një grupi trafiku lëndësh narkotike.
“Kanë dyshime por të bazuar vetëm në indicie dhe nuk kanë prova. Do ta vazhdojmë betejën në Gjykatë të Lartë dhe do të publikojmë edhe prova të tjera që disponojmë.
Indicje janë shkresa të prodhuara kryesisht nga Ministria e Brendshme dhe jo nga organi i akuzës. Nga oficerë të policisë. Dokumentacioni i ardhur nga Ministria e Brendshme italiane thekson se nuk ka qenë asnjëherë i arrestuar në Itali.
Edhe përsa i përket rastit të Turqisë, z. Ndroqi ka pasur një verifikim nga celulari që është marrë dhe është çuar në laboratorin e policisë shkencore. I është bërë ekspertiza dhe nuk ka pasur lidhje me persona të tjerë që kanë pasur procedim penal për një vepër tjetër dhe i është kthyer sërish. Nuk ka asnjë dënim dhe në dosjen e gjykatës si dhe në fashikullin e prokurorit në Turqi për z. Ndroqi”, është shprehur avokati i tij mbrojtës.
Kujtojmë se më 1 gusht, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi nën sekuestro 26 pasuri të patundshme të presidentit të “Yldon Media Group”, përfshirë edhe dy televizionet RTV Ora dhe Ora News.
Ndërkohë ditën e sotme Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e GJKKO-së, por beteja ligjore do të vazhdojë edhe në Gjykatën e Lartë.
Pasuritë e sekuestruara të presidentit të “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqit:
- Kuotat dhe aksionet e shoqërisë “RENDON OIL” sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi;
- Kuotat dhe aksionet e shoqërisë “YLDON” sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi;
- Kuotat dhe aksionet e shoqërisë “DON-UCD” sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi;
- Kuotat dhe aksionet e shoqërisë “REN-DON” sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi;
- 80% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “INTERKINEX” sh.p.k, me aksioner shoqërinë “YLDON”, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi;
- 80% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “Ecogades Landon Balcan” sh.a, me aksioner shoqërinë “Landon”, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi;
- 60% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “ORA” sh.a, në emër të shtetasi Ylli Ndroqi dhe të masës 40% të kuotave në emër të shtetases M. N.;
- 51% të kuotave të shoqërisë “Landon” sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi;
- 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “P 8 31” sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi;
- 50% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “ALBANIA BAY MARINE”, me aksioner shoqërinë “YI.DON”, përfaqësuar nga shtetasi Ylli Ndroqi;
- 30% të kuotave dhe aksioneve të shoqërisë “CHANNEL ONE” sh.p.k, në emër të shtetasit Ylli Ndroqi.
- Pasuria e llojit “apartament”, me sipërfaqe 117 m2, me adresë lagjja nr. 13, Plazh, Durrës;
- Pasuria e llojit “truall”, me sipërfaqe 300 m2, me adresë Tiranë;
- Pasuria e llojit “truall”, me sipërfaqe 600m2 dhe një ndërtesë me sipërfaqe 90 m2, me adresë Tiranë;
- Pasuria e llojit “njësi shërbimi”, me sipërfaqe totale 43.7 m2, me adresë Tiranë;
- Pasuria e llojit “arë”, me sipërfaqe totale 67.3 m2, me adresë Tiranë;
- Pasuria e llojit “truall”, me sipërfaqe totale 15 m2, me adresë Tiranë;
- Pasuria e llojit “truall”, me sipërfaqe totale 300m2, me adresë Tiranë;
- Pasuria e llojit “truall”, me sipërfaqe totale 2026m2, me adresë Tiranë;
- Pasuria e llojit “apartament”, me sipërfaqe, 52.3 m2, me adresë Tiranë, në bashkëpronësi me shtetasen M. N;
- Pasuria e llojit “pyll”, me sipërfaqe totale 100.000 m2, në Tiranë (Lanabregas);
- Automjeti i tipit autoveturë, marka “Merces Benz”, modeli S600, në pronësi të shtetasit Ylli Ndroqi.
- Automjeti i tipit autoveturë, marka “Rolls Royce”, modeli PHANTOM, në pronësi të shtetases M. N.;
Shoqëritë dhe pasuritë e tjera në pronësitë të shtetasit Ylli Ndroqi, në zbatim të ligjit, janë marrë në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.