Qeveria ka njoftuar për bonusin prej 5 mijë lekësh për pensionistët që do të marrin në fund të vitit, por ndonëse e propaganduar si arritje, kujtojmë se kjo shifër nuk ka ndryshuar për disa vjet. Ministri i Ekonomisë ka bërë një njoftim ditën e shtunë (2 dhjetor), duke theksuar se shpërndarja e bonusit fillon nga e hëna dhe nuk do të kërkojë pritje të gjata.
Kjo është një nga propagandat e tjera të kësaj qeverie, nën udhëheqjen e së cilës pensionistët janë më të diskriminuarit. Arsyeja është mjaft e theshtë… Me 5 mijë lekë shpërblim nga qeveria një pensionist nuk mund të blejë as një gjel deti për darkën e Vitit të Ri, pa folur për çmimet e ushqimeve të shportës që rriten çdo ditë.
Kujtojmë se në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, qeveria shpërbleu me 5 mijë lekë të gjithë pensionistët dhe u premtoi atyre se një tjetër bonus 5 mijë lekësh do t’u shpërndahej në shtator.
Premtimi se bonusi prej 5 mijë lekësh do të jepej në shtator, krijoi shpresë tek pensionistët se qeveria mund t’i shpërblente tri herë brenda një viti me nga 5 mijë lekë.
Por kjo u harrua nga qeveria e cila ka disa javë që promovon me bujë këtë pagesë qesharake, që nuk i ndihmon për asgjë pensionistët.
Janë rreth 700 mijë pensionistë në vend që me gjithë mundin e dekadave që kanë punuar, nuk arrijnë dot të pleqërojnë me dinjitet, pa kërkuar ndihmë tek të afërm apo fëmijë.