Skip to content
Të Gjitha

Samiti i BE më 6 dhjetor në Tiranë, miratohet shuma për përballimin e shpenzimeve (Vendimi)

· 2 min lexim

Më 6 dhjetor për herë të parë, Shqipëria do të mirëpresë Samitin e BE-Ballkani Perëndimor.  Në kuadër të organizimit të samitit do të shpenzohet një fond prej 50 milionë lekësh.

Miratimi i këtij buxheti u bë gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave.  Vlen të theksojmë se po në këtë ditë, me 6 dhjetor 2022, opozita ka njoftuar që do të zhvillojë protestën e radhës.

Vendimi i plotë:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, i shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve të organizimit të “Samitit të BE-BP”, që do të organizohet në Tiranë, në datën 6 dhjetor 2022.

Efekti financiar, prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në vendimin e qeverisë.