Ryanair ka njoftuar se nga prilli 2026 do të hapë një bazë të re në Aeroportin e Tiranës me tre avionë Boeing 737-800, duke premtuar 10 linja të reja dhe një investim prej 300 milionë dollarësh. Kompania thotë se kjo do të sjellë mbi 100 vende të reja pune për pilotë e ekuipazh dhe do të rrisë fluturimet javore në 450 drejt 33 destinacioneve, mes tyre Birmingham, Dublin, Milano, Maltë, Napoli, Pescara, Poznan, Trieste, Torino dhe Verona.
Të gjitha këto tingëllojnë si një lajm i mirë për udhëtarët shqiptarë, por kush ka fluturuar nga Shqipëria vitet e fundit e di mirë se historia nuk ka qenë aspak rozë. Mijëra pasagjerë janë përballur me vonesa të gjata pa asnjë shpjegim, me anulime të befta që vijnë vetëm disa orë ose një ditë para nisjes, shpesh pa mundësi rimbursimi apo me kthime parash që zvarriten me muaj të tërë. WizzAir ka qenë kampione në këto abuzime, por edhe Ryanair nuk ka mbetur pas, veçanërisht në periudha festash apo sezonit të verës, kur kërkesa rritet dhe çmimet rriten në mënyrë marramendëse.
Një biletë e reklamuar si “low-cost” ka përfunduar shpesh duke kushtuar sa një fluturim me një kompani tradicionale, pasi i shtohen tarifat e bagazhit, tarifat për zgjedhjen e vendit, për check-in në aeroport, e deri tek kostot absurde për ndërrimin e datës apo emrit. Ka pasur raste ku pasagjerët janë detyruar të paguajnë më shumë se vetë bileta për një çantë dore pak më të madhe nga dimensionet e lejuara, duke u lënë përshtypjen se kompania fiton më shumë nga gjobat dhe tarifat “ekstra” sesa nga vetë çmimi i udhëtimit.
Për më tepër, trajtimi i udhëtarëve shqiptarë shpesh ka qenë diskriminues. Nuk kanë munguar denoncimet për mungesë informacioni në aeroport, mosrespektim të të drejtave të pasagjerëve sipas rregulloreve të BE-së, dhe madje edhe mospërfillje totale kur udhëtari mbetet i bllokuar në një qytet të huaj për shkak të anulimit të fluturimit. Në vend të akomodimit ose riorganizimit të udhëtimit, shumë shqiptarë janë lënë të gjejnë zgjidhje vetë, shpesh me kosto të larta dhe stres të panevojshëm.
Shpresojmë që me linjat e reja dhe konkurrencën e shtuar, të mos kemi më pasagjerë të lënë në terminale për orë të tëra, të mos kemi ndryshime fluturimi në minutën e fundit dhe të mos trajtohemi si udhëtarë të dorës së dytë vetëm sepse udhëtojmë nga dhe drejt Shqipërisë. Ky investim i ri nuk duhet të jetë vetëm një tjetër strategji marketingu për fitimet e kompanive, por një mundësi reale për t’i dhënë fund abuzimeve që shqiptarët kanë duruar për vite!
Nëse Ryanair e kthen këtë bazë në një shembull të shërbimit të drejtë, të rregullt dhe me çmime të ndershme, atëherë ky do të jetë një hap i madh përpara për udhëtimet ajrore nga vendi. Në të kundërt, do të mbetet thjesht një tjetër kapitull në listën e gjatë të premtimeve të bukura, por të parealizuara, ndërsa udhëtarët shqiptarë do të vazhdojnë të paguajnë çmimin e një sistemi që i sheh më shumë si xhep fitimi sesa si klientë që meritojnë respekt.