Protesta në Baks Rrjoll u përshkallëzua fort këtë fundjavë. Banorët thyen mjetet e “Brecani shpk”, e kontraktuar për ruajtjen e kantierit të resortit që po ndërtohet nga Bashkim Ulaj. Rojet private u hodhën në kanal dhe u goditën me gurë. Pamjet tregojnë përplasje të drejtpërdrejta dhe tension të hapur.
Toka është e banorëve. Përballë tyre janë roje private dhe forca të Policisë së Shtetit. Njëra palë paguhet hapur nga taksat tona, tjetra mbahet nga i njëjti qark parash publikë, sepse “Brecani Security” paguhet nga Bashkim Ulaj dhe Ulaj ushqehet nga tenderët e shtetit. Sot, këto struktura u panë të pafuqishme përballë një grupi banorësh.
Megjithatë, pjesëmarrja ishte e ulët. Protesta mbeti e izoluar. Opozita nuk iu bashkua. Një grup banorësh përballë një sistemi të tërë interesash, përballë oligarkëve që bëjnë bashkë politikën.
Dëmet në mjetet e “Brecani Security” nuk do ta ndalin skemën. Përkundrazi, Edi Rama do ta “dëmshpërblejë” me një tender tjetër, dhjetëfish më të fryrë, për të rregulluar xhamat e makinave. Fatura do të kalojë sërish përmes taksave tona. Kështu funksionon qarku.
Ajo që u pa në Rrjoll është e qartë: një grup i vogël banorësh mund të përballet dhe të tronditë një investim të madh. Por po të ishin mbledhur më shumë qytetarë, nga çdo zonë, po të ishte zgjeruar protesta, të drejtat do të ishin fituar me kohë. Bashkimi këtë rol ka. Rrjolli e tregoi forcën e protestës, por edhe sa e nevojshme është të mos mbetet vetëm.







