Pandemia ndikoi në një rritje të fortë të numrit të vdekjeve në Shqipëri. Vitin e kaluar, “Instat” raportoi rreth 6 mijë vdekje më shumë krahasuar se me një vit më parë. Besohet se kjo rritje, erdhi për shkak të “Covid-19”, por edhe për shkak së rënies së aksesit në shërbim shëndetësor për pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera.
Rritja e vdekjeve, ka sjellë faturë të kripur edhe për shoqëritë e sigurimit të jetës. Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për pesë muajt e parë të këtij viti dëmet e paguara në sigurimin e jetës janë në rritje me 57% në vlerë dhe me 51% në numër. Produkti kryesor i tregut, sigurimi i jetës së debitorit, ka shënuar një rritje të dëmeve me 128% në vlerë dhe me 185% në numër.
Raporti i thjeshtë mes dëmeve të paguara bruto dhe primeve të shkruara bruto për këtë pesëmujor u rrit në 34.5%, nga 26.7% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan Monitor.
Këto shifra dëshmojnë qartë se rritja e vdekshmërisë vitin e kaluar dhe në pjesën e parë të këtij viti ka goditur edhe familjet huamarrëse në sektorin bankar. Sigurimi i jetës ka mbrojtur në këtë rast bankat tregtare nga moskthimi i kredive, por edhe vetë familjet e debitorëve, duke qenë se zakonisht këto kredi kanë si objekt blerjen e banesave. Në pesë muaj, shoqëritë e sigurimit kanë paguar 117 milionë lekë ose rreth 945 mijë euro dëme në favor të 117 debitorëve të siguruar. Kjo është shuma më e lartë e dëmeve të raportuara ndonjëherë për këtë produkt në pesëmujorin e parë të vitit.
Megjithëse sigurimi vullnetar i jetës në Shqipëri është produkt që përdoret pak nga shqiptarët, tregu mbështetet sidomos në sigurimin e jetës së huamarrësve. Për kreditë afatgjata, kryesisht ato hipotekare, bankat kërkojnë si rregull edhe sigurimin e jetës së huamarrësit. Ky kusht përbën në thelb edhe themelin mbi të cilin është ndërtuar sot tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri.
Sigurimi i jetës së debitorit sjell aktualisht rreth 72% të primeve të shkruara bruto dhe 73% të numrit të përgjithshëm të kontratave në këtë treg. Pandemia e rrit edhe më shumë peshën e këtij produkti, për shkak të rënies së dukshme të biznesit në produktet e lidhura me udhëtimet e shtetasve, sidomos në sigurimin e aksidenteve dhe jetës në udhëtim. Me rritjen e këtij viti, sigurimi I jetës së debitorit ka krijuar edhe rreth 69% të vlerës totale të dëmeve, nga 47% që zinte një vit më parë.