Procesi i rindërtimit nga tërmeti i vitit të kaluar, duket se do të jetë edhe një nga shtyllat ekonomike, shpenzimet e të cilave do të bëjnë që ekonomia shqiptare nën krizë të gjenerojë pak likuiditet.
Kështu të paktën mendon në parashikimin e tij Fondi Monetar, i cili gjithsesi e ka parashikuar edhe 2021-in si një vit të vështirë financiar për ekonominë Shqiptare të goditur nga disa fatkeqësi.
“Rindërtimi është një nga zërat që ka marrë një vëmendje të konsiderueshme jo vetëm në buxhetin aktual, por edhe në atë të planifikuar për vitin e ardhshëm. Një proces i cili pritet të japë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e punësimit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë gjatë 2021”.
28 miliardë lekë ose rreth 218 milionë euro është fondi i parashikuar për përballimin e procesit të rindërtimi nga tërmeti i 26 nëntorit në buxhetin e vitin e ardhshëm. Krahas kësaj shume, financat kanë planifikuar edhe akordimin e një fondi shtesë prej 1.5 miliardë lekësh që do të shkojë për përballimin e bonusit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha për shkak të tërmetit.
Sipas të dhënave të Financave, deri në shtator të këtij viti donacionet e arkëtuara në buxhetin e shtetit arrijnë në 2.4 miliardë lekë, teksa vlera e disbursuar për financimin e granteve të rikonstruksionit përllogaritet në 827.2 milionë lekë.
Janë në total 35 zona të reja zhvillimore ku pritet të akomodohen në banesa të reja kolektive apo individuale rreth 33 mijë qytetarë, të projektuara të funksionojnë jo vetëm për strehim, por edhe si një model zhvillimi urban, ekonomik e social në vend.
Në konferencën e donatorëve të mbajtur në Bruksel për grumbullimin e ndihmave për rikuperimin e pasojave të tërmetit u angazhuan në total 1.1 miliardë euro fonde, nga të cilat 295 milionë euro ishin grante dhe pjesa tjetër kredi.
Rindërtimi sipas raportit të fundit të Bankës Botërore shihet edhe si një ndër burimet kryesore ku do të mbështetet rritja ekonomike në 2021, që në vlerësimet e saj pritet të arrijë në 5%.
Subjektet nënkontraktore për rindërtimin, përjashtim nga TVSH
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), ka bërë tё ditur ndryshimin e rёndёsishёm nё ligj pёr kompanitё e pёrfshira nё procesin e rindёrtimit, sipas të cilit, Nga TVSH-ja, pёrveҫ ndёrtuesve, do tё pёrjashtohen edhe nёnkontraktorёt si dhe furnizuesit e mallrave qё kanё lidhur kontratё direkt me ndёrtuesit e autorizuar nga Administrata Tatimore).
Me ndryshimet e fundit të VKM nr.143 datë 13.2.2020 “Për procedurat për lëshimin e autorizimit, për subjektet e rindërtimit dhe për përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar të furnizimit të mallrave e shërbimeve, për qëllime të procesit të rindërtimit”, në listën e subjekteve të rindërtimit të autorizuara për përjashtimin nga TVSH-ja, përveç ndërtuesve/kontraktorëve, subjekte të rindërtimit të parashikuar në shkronjat a, b dhe c të nenit 3 të kësaj VKM-je, do të përfshihen edhe të gjithë nënkontraktorët, të cilët kanë lidhur kontratë direkt me ndërtuesit/kontraktorët e përcaktuar në shkronjat e sipërcituara të këtij neni, për furnizimin e proceseve të ndërtimit si dhe furnizuesit e mallrave ose shërbimeve që furnizojnë direkt ndërtuesit te cilet jane te pajisur me autorizim per perjashtimin nga TVSH-ja nga Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve.
Për t’u pajisur me autorizim, subjektet furnizuese dhe nënkontraktorët duhet të bëjnë aplikim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatime, ku si pjesë të kërkesës duhet të paraqesin dokumentacionin si më poshtë:
- Kërkesën me shkrim, së cilës i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NIPT/NUIS-it;
- Kërkesa për marrjen e autorizimit duhet të shoqërohet me kontratën e lidhur midis furnizuesit dhe ndërtuesit/kontraktor kryesor, nënkontraktorit dhe ndërtuesit /kontraktor kryesor. Në kontratë duhet të jetë përcaktuar qartë mallrat dhe shërbimet që do të ofrojë furnizuesi dhe nënkontraktori për ndërtuesin /kontraktor kryesor.
- Preventivin e mallrave dhe punimeve që do të kryejë shoqëria furnizuese, dhe shoqëria nënkontraktore për ndërtuesin kryesor. Preventivi duhet të jetë ndarë në zëra, në sasi dhe në vlerë.
- Kopje te autorizimit te leshuar nga DPT ndaj kompanise ndertuese/kontraktorit kryesor.
Verifikimi i çmimeve të aplikuara do të jetë objekt verifikimi nga strukturat funksionale të Administratës Tatimore.
Gjithashtu nëse furnizuesit/nënkontraktorët zgjedhin të mos bëjnë kërkesë për t’u pajisur me autorizim për përjashtim nga TVSH-ja, ose kanë kryer furnizime mallrash ose shёrbimesh për periudhën që nuk janë pajisur me autorizim, nuk e gëzojnë të drejtën e zbritjes së TVSH-së mbi këto furnizime. Në këto raste, shoqëritë furnizuese për mallrat dhe shërbimet e ofruara, do të kryejnë rregullimin e TVSH-së së zbritshme, për të gjitha furnizimet e ofruara shoqërive ndërtuese të autorizuara.
Autorizimi i lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk i shtrin efektet mbi furnizimet e kryera para pajisjes me autorizim të subjektit përfitues, por skema e përjashtimit të TVSH-së zbatohet vetëm për furnizimet pasuese. Për të gjitha furnizimet e kryera para pajisjes me autorizim, të zbatueshme janë parashikimet si më sipër.
Për t’u njohur me ndryshimet e VKM-së nr.143 datë 13.02.2020, mund të klikoni në linkun:
https://qbz.gov.al/eli/vendim/2020/09/30/804/0752944c-d6e2-478d-ac39-666cb0b2f5dc
Ne dokumentin bashkengjitur do te gjeni dhe shkresen sqaruese e cila shpjegon ne detaje hapat e ndjekjes se ketij procesi.
Rikonstruksionet në Durrës
Ka nisur në Durrës, puna për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta të pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në nivelet DS1-DS2-DS3. Punimet po kryhen në lagje të ndryshme të qytetit dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Në lagjen 18 ku shumë familje u dëmtuan dhe mbetën të pastrehë, si dhe humbën jetën tragjikisht 7 persona janë ngritur skelat në disa pallate. Punimet po realizohen nga firma të tenderuara nga Bashkia e Durrësit dhe përfshijnë riparimin e fasadave, shkallëve dhe mureve të ashensorëve.
Me shpërndarjen deri tani të granteve të rikonstruksionit për 8900 familje dhe fillimin e riparimit të ambienteve të përbashkëta të pallateve, i hapet rrugë kthimit në normalitet të mijëra familjeve të dëmtuara durrsake.
Aktualisht janë lidhur kontratat për 7 lote për rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta të 458 pallateve. Të tjera pallate do të përfshihen në këtë proces.
Përfitues të granteve të rikonstruksionit:
DS1 100 mijë lekë (të rinj) për 1700 familje,
DS2 250 mijë lekë për 3400 familje,
DS3 500 mijë lekë për 3800 familje.
/GazetaReforma.com/