Ditën e sotme, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në një lidhje me Skpye për News 24, deklaroi se ndonëse duket se situata po përmirësohet dhe kryeministri Rama ka lajmëruar lehtësimin e disa masave, duhet të mësohemi me rregullat e vendosura për të luftuar COVID-19.
“Deri sa të ketë një vaksinë duhet të jetojmë me rregulla dhe të jemi qytetarë të përgjegjshëm. Kemi një rritje mesatare të qëndrueshme, kurba po ngjitet në kodër por jo në malin që do ngjitej nëse nuk do kishim marrë disa masa. Nëse nuk do kishim marrë këto masa do ishim më shumë se 3 mijë të prekur. Realiteti që ne do përballemi së shpejti do jetë realiteti i të jetuarit me COVID-in, por e një mënyre të re të jetuari me rregulla dhe këto rregulla do jenë vetëm për të mirën tonë. Lehtësimi me pikatore do të jetë bashkëshoqëruar me rregulla shumë të forta për ata të cilët do shkelin rregullat që nuk do zbatojnë oraret.”-deklaroi Manastirliu.
Sa i përket gjendjes në spitale dhe numrit të viktimave, Manastirliu tha se për 90-vjeçarin që humbi jetën sot shkaku kryesor ishte tromboembolia pulmonare, teksa foli dhe për mjekimet dhe protokollet që ndiqen nga mjekët shqiptarë në dy spitalet COVID.
“Ne përdorim të tërë ato protokolle apo linja trajtimi si në spitale të botës.Kemi përfshirë tocilizumab, hydroxychloroquine të gjithë trajtimet që po përdoren në botë. Kemi vendosur që me OBSH të jemi pjesë e një studimi klinik dhe për herë të parë merr pjesë Shqipëria. Do jemi pjesë e një skuadre botërore për hetimin klinik duke përfshirë antiviralët dhe hydroxychloroquine.”
Ministrja foli edhe rreth akuzave të PD-së për rritjen e testimeve, duke u shprehur se ka një strategji të përcaktuar nga ekspertët dhe bëri me dije se janë porositur 30 mijë teste të reja për COVID-19.
“Nëse nuk do kishim teste nuk do bënim çdo ditë dhe nuk do kishim zbuluar vatra të tjera. Jemi duke vepruar punën çdo ditë. Stoku i tamponëve rritet, nuk kemi pasur mungesë. Sa i përket strategjisë së testimit bëhet nga ekspertët. Deri tani strategjitë ka qenë e suksesshme. Këtë po e thotë dhe OBSH. Një strategji që është e orientuar drejt rasteve të dyshuara dhe izolimit të kontakteve. Po bëhet një punë shumë e madhe në terren, sa i përket gjurmimeve dhe testimit të çdo raste. Kemi porositur 30 mijë teste të reja. në bashkëpunim me OBSH janë në procesim e sipër sipas procedurave nëpërmjet fondeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe do vazhdojmë të porosisim sepse është një strategji e qartë për ne, dhe sa i përket testimeve dhe kapaciteteve në spitale”, deklaroi Manastirliu.
Sipas saj, OBSH është shprehur disa herë që Shqipëria ka marrë masat e duhura në kohë sa i përket strategjisë së kufizimit të virusit, duke izoluar, karantinuar dhe orientuar masa të shpejta dhe efikase.