Shqipëria renditet e fundit në Ballkanin Perëndimor për nga niveli i përfitimeve sociale që u ofrohen familjeve në nevojë. Një raport i Bankës Botërore dhe Institutit të Vjenës tregon se vendi ynë ofron vetëm 70 euro mbështetje mujore, shumë më poshtë krahasuar me shtetet e tjera të rajonit.
Në krye të listës qëndron Republika Srpska, e cila kombinon asistencën sociale me ndihmat për fëmijë, duke arritur një total prej 335 eurosh në muaj. Pas saj vijnë Federata e Bosnjë-Hercegovinës me 304 euro, Serbia me 282 euro, Mali i Zi me 267 euro, Maqedonia e Veriut me 207 euro dhe Kosova me 191 euro.
Raporti thekson se skemat e mbështetjes sociale në rajon bazohen kryesisht në tre forma: ndihma të përgjithshme për lehtësimin e varfërisë, ndihma për fëmijë dhe ndihma për energjinë, të krijuara për të ulur barrën e kostove të larta të energjisë për familjet me të ardhura të ulëta, veçanërisht gjatë dimrit.
Një element tjetër i analizuar është mënyra e ndërprerjes së ndihmës financiare sapo një anëtar i familjes punësohet. Në shumë shtete të rajonit përfitimet ndërpriten menjëherë, edhe në rastet e të ardhurave minimale. Serbia dhe Shqipëria janë përjashtimet e vetme.
Në Serbi, ndihma sociale zvogëlohet gradualisht dhe ndërpritet vetëm kur të ardhurat neto nga puna arrijnë në 210 euro. Ndërsa në Shqipëri, ndihma ekonomike nuk ndalet automatikisht me fillimin e një pune, por llogaritet përmes një formule të testit të mjeteve indirekte (PMT). Kjo formulë përditësohet çdo 12 muaj dhe merr parasysh punësimin formal. Nëse rezultati kalon pragun e përcaktuar, familja humbet të drejtën e përfitimit.
Raporti ngre shqetësimin se edhe pse Shqipëria ka një fleksibilitet më të lartë për ruajtjen e ndihmës pas punësimit, niveli i mbështetjes mbetet më i ulëti në rajon, duke lënë familjet në nevojë me përfitime minimale krahasuar me fqinjët.