Kryeministri Edi Rama ka nisur një ofensivë të ashpër publike për të mbrojtur Belinda Ballukun, duke e quajtur pezullimin e saj një “absurditet antikushtetues”, ndërhyrje të gjyqësorit te ekzekutivi dhe rrezik për balancën e pushteteve. Me metafora për “miun që nesër bëhet ujk”, ai përpiqet ta shesë çështjen si një dramë institucionale që kërcënon demokracinë dhe jo si atë që është realisht: një masë sigurie e parashikuar shprehimisht nga ligji shqiptar, e zbatuar ndaj një ministre të marrë si e pandehur në një aferë 190 milionë euro dhe hetime të tjera të rënda me vlerë qindra miliona të tjera.
Por sapo bie perdja e retorikës, mbetet vetëm ligji. Dhe ligji e rrëzon përfundimisht gjithë narrativën e Ramës.
Kodi i Procedurës Penale, neni 242, e parashikon qartë: gjykata ka të drejtë të pezullojë nga detyra çdo funksionar publik nëse rrezikon të pengojë hetimin, me përjashtim të vetëm të atyre që zgjidhen me votë. Ministrat nuk janë të zgjedhur, por të emëruar. Pra janë subjekt i kësaj mase dhe gjykata ka vepruar pikërisht në përputhje me ligjin që ka miratuar vetë Kuvendi. Askund në legjislacion nuk ndalohet pezullimi i një ministri. Askund nuk thuhet se ministri është i paprekshëm. Askund nuk thuhet se gjyqtari nuk mund t’i heqë të drejtën përkohësisht për të ushtruar funksionin kur është nën hetim. Përkundrazi, ligji e parashikon.
Në anën tjetër qëndron pretendimi absurd i Ramës se “pezullimi e bllokon ministrinë sepse askush tjetër s’mund të firmosë”. Kjo është pikërisht pika ku gënjeshtra e kryeministrit përplaset me realitetin e qeverisjes së tij. Delegimi i firmës është i parashikuar në ligj, në nenet 27 dhe 29 të Kodit të Procedurave Administrative, që i japin çdo organi publik të drejtën të delegojë kompetencat dhe firmën te vartësit.
Dhe nën qeverisjen Rama, delegimi nuk është përjashtim; është normë, sepse Rama NUK firmos pothuajse kurrë. Në këtë administratë, firmat që mbajnë përgjegjësi i hedhin vartësit, ndërsa kryeministri luan rolin e të papërlyerit. Delegimi i firmës është mekanizmi me të cilin macja heq përgjegjësitë nga vetja, ndërsa miu i qeverisë firmos dhe merr barrën e çdo zullumi.
Pse delegimi i firmës paska qenë zgjidhje e artë për çdo tender, çdo kontratë, çdo vendim që duhej të nënshkruhej nga duar të tjera për të mos u njollosur dora e të zotit, por papritur s’mund të funksionojë për të zhbllokuar një ministri?
Rama ka çdo instrument ligjor që t’i shmangë bllokimet që pretendon: mund të propozojë shkarkimin, mund të emërojë një ministër të ri, mund ta ngarkojë një tjetër ministër të mbulojë përkohësisht detyrën, mund të përdorë delegimin e kompetencave siç e ka bërë qindra herë. Por asnjë prej këtyre, për çudi, nuk na i shkon “ndër mend” tani.
Qëllimi nuk është funksionimi i ministrisë; qëllimi është mbrojtja e Belindës. Dhe për ta arritur këtë, Rama është i gatshëm të përplaset me logjikën, me praktikën administrative, me ligjin, madje edhe me opinionin publik.
Në këtë histori ka krizë politike. Ka bllokim të qeverisë nga vetë kryeministri, i cili zgjedh kaosin në vend të zbatimit të ligjit vetëm për të shpëtuar një ministre që SPAK e ka marrë të pandehur në një prej aferave më të rënda të këtyre viteve.
Kjo është përpjekja e dëshpëruar e një kryeministri për të mbrojtur një hallkë kyçe të një zinxhiri që kërcënon të këputet e ta marrë në humnerë. SPAK ka hapur derën. Tani rreziku që sheh Rama rreth vetes nuk vjen nga gjyqësori, por nga e vërteta që po afron.







