Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin me studentët në Prishtinë ka folur edhe për marrëveshjet mes dy qeverive para mbledhjes së përbashkët në muajin nëntor.
Rama tha se ka shumë marrëveshje të cilat nuk janë zbatuar dhe disa prej tyre vetëm pjesërisht. Për këtë arsye ai theksoi se ka folur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për ndryshimin e sistemit të punës nga dy administratat, që ta ndjekin me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtën aftësi për ta kuptuar se sa të rëndësishëm janë ato hapa drejt së ardhmes.
Ai gjithashtu diskutoi dhe për kufirin dhe lirinë e lëvizjes mes dy vendeve, teksa theksoi se nuk mund të jetë e plotë pa marrëveshje me të tjerët, e ndaj ka këmbëngulur për atë që u quajt ‘Minishengeni’ e tani është “Ballkani i Hapur”.
“Prej disa vitesh jemi angazhuar në një marrëdhënie mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës në një nivel krejt tjetër nga ai i mëparshmi, duke futur mekanizmin e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, të cilat përmes këtij instrumenti kanë mundësinë të diskutojnë, ndryshe nga ç’ndodh në takime bilaterale rutinë, të marrin vendime dhe t’i japin mundësi vetes të ndjekin vendimet në proces dhe më pas vjen një mbledhje tjetër e radhës ku bëhet vlerësimi i atyre që janë arritur dhe atyre që nuk janë arritur. Në këtë aspekt kemi prodhuar shumë më tepër marrëveshje dhe dakordësi se sa çdo vit tjetër apo të gjitha vitet e tjera të marra së bashku më parë. Por nga ana tjetër, e vërteta është që një pjesë e konsiderueshme e këtyre marrëveshjeve nuk janë plotësuar plotësisht, ose pjesërisht, ose fare. Për shkak të një sistemi pune, i cili duhet ndryshuar dhe për këtë kemi folur sot me kryeministrin tuaj, që si ta ndryshojmë këtë sistem pune dhe si ta bëjmë të mundur që edhe administrata këtu dhe në Shqipëri ta ndjekë me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtën aftësi për ta kuptuar se sa të rëndësishëm janë ato hapa drejt së ardhmes, siç e kemi ne që marrim vendime, çdo marrëveshje”, tha Rama.
Sipas tij, ‘ka plot gjëra që në pamje të parë duken të vogla, por që përbëjnë një mozaik për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, këtej dhe andej kufirit’.
“Gjëja e parë është pikërisht kufiri dhe që me vullnet dhe me angazhim të përditshëm mund të lehtësohet në mënyrë të ndjeshme nga radhët e gjata, nga kontrollet e dyfishta të gjithë kamionëve që transportojnë mallra nga kjo anë apo ajo anë. Mund të lehtësohet nga situatat dhe deri dramatike të radhëve kilometrike në sezonet turistike. Ashtu sikundër mund edhe të kthehet në një kufi formal, pa ndikim të madh në jetën e qytetarëve siç është në vendet e BE-së. Duke u bërë pjesë e një sistemi të ri të lirive të lëvizjes që janë të njëjtat liri të lëvizjes së BE-së. BE funksionon me 4 liri lëvizje të padiskutueshme dhe të zbatuara kudo. Liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Që do të thotë për këto të katërta, BE nuk ka kufi. Duke mos pasur kufi për këto të katërta, hapësira e funksionimit të shteteve me njeri-tjetrin është një hapësirë e përbashkët. Është e pakuptueshme për mua që Kosova dhe Shqipëria të mos e realizojnë këtë”, deklaroi Rama.
Ai tha më tej se në një masë të caktuar mund të realizohet pa pasur nevojë për marrëveshje me të tjerët, ndërsa në masën e vetë të plotë ka nevojë për marrëveshje me të tjerët.
“Në vite ka pasur herë pas here udhëheqës apo autoritete politike që kanë bërë deklarata të tipit ‘do heqim kufirin’ dhe kufiri asnjëherë nuk është hequr. Pse? Se nuk kanë dashur këta? Jo, fare ata vërtetë kanë dashur ta heqin kufirin. Por në momentin që thua në shqip se do heq kufirin, kjo alarmon dynjanë. Nuk alarmon Beogradin, aq sa alarmon Brukselin dhe Uashingtonin. Kjo është arsyeja pse unë kam insistuar për atë që në fillim u quajt… dhe që ta dini nuk e kam pagëzuar unë, ajo u quajt minishengeni, e njëjta nismë si Ballkani i Hapur, për të cilin u përdor fjala Shengen për të dhënë të qartë idenë se për çfarë bëhej fjalë. Insistimi ka qenë tek lëvizja e lirë e njerëzve. Serbia ishte e gatshme të futej në atë proces, por pa lëvizjen e lirë të njerëzve dhe është shumë e qartë pse. Sepse për Serbinë dhe për Presidentin serb nëse do të pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve do pranonte heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe ne nuk mundtë pranonim një projekt të cunguar, o të katërta, o asnjërën prej tyre. Projekti u vonua për disa vite deri sa u gjet kjo dakordësi. Janë dy shina paralelisht në të cilat duhet të ecim”, deklaroi Rama.