Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot lehtësirat që do i ofrohen bizneseve dhe qytetarëve falë paketës së digjitalizimit.
Rama njoftoi për një ndryshim të ri, kësaj radhe në masat administrative . Kryeministri tha se policët rrugorë nuk do të jenë më në rrugë, pasi monitorimi do të bëhet online.
“Punonjësi i policisë kontrollon në kohë reale statusin e targës, të lejes së drejtimit, verifikon nëse ka masa të tjera, taksa të palikuiduara e kështu me rradhë. Ndërkohë që, cilido nga ata që merr një gjobë, nuk ka nevojë të shkojë në rradhë tek komisioni. Të kapën në rrugën Durrës- Rrogozhinë – Lushnje, je nga Vlora apo je nga Tropoja, duhet të shkosh në Lushnje se aty është komisioni, se je kapur aty. Ndërkohë që apelimi, gjithçka online.”, është shprehur ai.
Pjesë nga reagimi:
Sa shumë keni vuajtur të gjithë ju që ngisni makinën? Këtu unë nuk mund të flas në emrin tuaj se unë nuk e ngas makinën, unë një timon kam, atë që më dhatë në 2017 dhe që jua kërkoj përsëri, jo për vete, por për ju dhe sepse dua që im bir, i vogli dhe gjithë bashkëmoshatarët e tij të rriten këtu e të jenë krenar këtu për shtëpinë e tyre dhe kur ta lënë shtëpinë e tyre, ta lënë sepse kanë dëshirë të shkojnë diku tjetër, jo sepse nuk i mban dot shtëpia e tyre, për këtë e dua unë timonin.
E pra, timonin e makinave e keni ju, jo unë. Sa keni hequr me atë DPSHTRR, për lejet e qarkullimit, për gjithë ndërveprimet? Si i bëni sot? Revolucion! Po kush i bëri, Bill Gates? Apo i solli koha? Se disa thonë, i solli koha. Po pse i solli koha kur në drejtim jemi ne? Pse nuk i solli kur në drejtim ishin ata? Apo nuk ishte shpikur interneti? Sa herë e keni dëgjuar Shqipërinë digjitale? Shqipërinë internetuale, Shqipërinë mikrosuperfuqi globale, energjetike dhe solare? Ku ishin? Janë po ata që duan sot të rikthehen.
E për të ardhur tek gjobat, gjobat, ato blloku – blloku dhe komisionet, ankesat, radhët, është drejt fundit, po merr fund.
Do ketë një sistem që ka filluar, por do kompletohet në mandatin e tretë ku nuk ke më lidhje, gjithçka është online dhe jo vetëm për punonjësit e policisë, por dhe për çdo qytetar me timon, gjithçka do jetë online.
Sot që flasim, ka ndodhur, është fakt, për mbi 50 mijë që kanë pasur pretendime për masat administrative për kundravajtjet rrugore dhe organet e Policisë kanë ndjekur pretendimin online, pa ato tmerret. Por me përfshirjen në sistem të monitorimit të trafikut, gjë që është në proces, nuk do shikoni më policë në rrugë. Gjithçka do të jetë online”, tha Rama.
Rama theksoi se gjithcka duan në mandatin e tretë është që certifikatat e pronësisë, vërtetimet, kartelat e pasurisë, që jepen sot me vulën elektronike, falë dixhitalizimit të 1.7 milionë pronave të shqiptarëve, të jepen për të gjitha pronat.
“Dixhitalizimi i të gjithë arkivave fizike për ta rritur numrin e shërbimeve dhe për ta bërë shërbimin automatik, jo vetëm në aplikim dhe hajde merre, por apliko dhe merre mbrapa, nuk ke nevojë më fare për asnjë. Je ti zot, ti shkop kur i thonë fjalës. Megjithëse shkopi jam unë, zoti jeni ju”, tha Rama.