Programi i zhvillimit të pronave publike ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku përqendrohet në projekte transformuese që mbështesin vizionin për Shqipërinë europiane deri në vitin 2030.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim të rëndësishëm me përfaqësues të sektorit të sipërmarrjes dhe bankar, ku morën pjesë gjithashtu përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Gjatë këtij takimi, u prezantua faza e re e zhvillimit, që synon përmirësimin e kushteve të administratës shtetërore, me fokus në hapësirat e punës, si dhe krijimin e mundësive për partneritete të reja me sektorin privat.
“Sot prezantojmë një fazë të re të programit tonë të zhvillimit të pronave publike në funksion të përmirësimit të kushteve të administratës shtetërore, lidhur me hapësirat e punës dhe po ashtu në funksion të krijimit të partneriteteve, të cilat do të japin mundësi që nga zhvillimi i pronave publike të përfitojë drejtpërdrejtë financiarisht edhe sektori publik.
Besoj që të gjithë i keni parasysh ende sot e gjithë ditën, skelete fabrikash apo ndërmarrjesh të vjetra që vijojnë të cenojnë peizazhin tonë dhe janë shëmbëlltyra të proceseve të shkuara të privatizimeve, të cilat në një pjesë të konsiderueshme nuk kanë sjellë asnjë rezultat tjetër, përveç degradimit të mëtejshëm të këtyre aseteve.
Ndërkohë që, ne jemi sot këtu për të ndarë me ju një qasje tërësisht tjetër të bazuar në eksperiencat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, nisur posaçërisht nga eksperiencat e Italisë dhe të Spanjës, të cilat prej shumë e shumë vitesh kanë ngritur struktura të ngjashme me strukturën e Korporatës Shqiptare të Investimeve ose siç e quajmë edhe ligjërisht Albanian Investment Coorporation, struktura që janë pikërisht në dispozicion të sektorit publik dhe shërbejnë si ura shumë të fuqishme për ndërveprime dhe bashkëpunime komplekse me sektorin privat.
Faktikisht, sot ne jemi këtu për të prezantuar disa projekte të para që janë rezultat i konkurseve ndërkombëtare, projekte që lidhen me zhvillime të përbashkëta me sipërmarrjen. Natyrisht që do të vendosen përmes garave të hapura dhe që synojnë nga njëra anë, t’i vënë në dispozicion shtetit hapësira të reja, hapësira me standarde europiane për aktivitetin e administratës publike dhe nga ana tjetër, t’i japin mundësi sipërmarrjes që në këmbim të bëjë biznes, duke hyrë në një marrëdhënie me shtetin, të njëjtë si marrëdhënia e përditshme e sipërmarrjes në fushën e ndërtimit me pronarët privatë.
Nuk do të zgjatem më tutje me këtë prezantim hyrës sepse këtu bashkë me mua është ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, është Kryetari i Bashkisë së Tiranës, është dhe drejtuesja e Korporatës Shqiptare të Investimeve që besoj të gjithë së bashku do ta bëjnë të plotë mozaikun për të gjithë ju dhe pastaj jemi të gjithë në dispozicion për të gjitha pyetjet e mundshme që mund të keni për të sqaruar sesi do të funksionojë dhe si do të vijojë ky proces.
Unë jam i bindur që ky proces do të na japë mundësinë të krijojmë një profil të ri për sektorin publik, një profil sipërmarrës, i cili do të na fusë edhe ne në klubin e vendeve që tanimë këto praktika dhe këto eksperienca i kanë shumëvjeçare dhe shumë të konsoliduara, por nga ana tjetër, ajo që është më e rëndësishmja është se si rezultat, shteti nuk do të zhvishet nga pjesëmarrja në zhvillimin e pronës, duke humbur kështu mundësinë që nëpërmjet kësaj pjesëmarrjeje të marrë edhe përfitimet në funksion të interesit publik, por do të jetë një aktor në bashkëpunim me aktorët e tjerë të tregut.
Tjetra që është e rëndësishme është që nëpërmjet këtij instrumenti të ri, ne faktikisht ju japim mundësi të gjitha institucioneve që të përdorin instrumentin për të zhvilluar pronat që kanë në funksion të interesave të tyre publike dhe nga ana tjetër, i japim mundësi sipërmarrjes që në shumë raste kur, siç me siguri disa këtu e dinë, për të zhvilluar një pronë private ndeshen me problematika që lidhen me një copëz apo me një pjesë prone që është pronë e shtetit të mund të përdorin këtë instrument, jo më siç ka ndodhur në të shkuarën që ose duhet ta lëshoje atë pronë, flas për shtetin, pa marrë asgjë mbrapsht, por thjesht një çmim simbolik, por që në të shumtën e herës mbetej një procedurë e parealizueshme që tërhiqte zvarrë me vite e vite investimet private ose mos të reagoje fare dhe kështu, faktikisht, të pezulloje përfundimisht një mundësi zhvillimi privat.
Ky është një proces që ka nevojë, në radhë të parë, për një njohje të plotë nga të gjithë aktorët të mënyrës së funksionimit, ka nevojë për një dialog për të përmirësuar më tej mekanizmin sepse është vetëm fillimi i kësaj praktike të re dhe ka nevojë për transparencë dhe qartësi të plotë në mënyrë që të garantohet edhe konkurrenca dhe nga ana tjetër, që në fund të gjitha palët të dalin të kënaqura”, tha Rama.