Kryeministri i vendit Edi Rama së bashku me ministrin e rindërtimit Arben Ahmetaj kanë inspektuar ditën e sotme një nga shkollat e rikonstrukturuara në Bubq.
Sipas ministrit shkolla ka përfunduar 100% dhe njofton se banesat individuale janë në fazën e vendosjes së dyerve. Gjithashtu Ahmetaj ka njoftuar se familjet do të futen në banesa më 25 nëntor dhe mënyra se si do ti përfitojnë banesat do të bëhet me anë të një shorti publik.
“Shkolla ka përfunduar 100% ndërkohë banesat individuale janë në fazën e vendosjes së dyerve, dritareve dhe hidrosanitareve. Ndërkohë ka filluar dhe puna për fazën përfundimtare të infrastrukturës”, – u shpreh ministri Ahmetaj teksa shtoi se, – “në 25 nëntor do futen familjet qoftë tek njësitë individuale qoftë tek apartamentet. Mënyra do të jetë me short publik. Të gjitha familjet do të marrin shtëpi në mënyrë transparente, do ta zgjedhin vetë nëpërmjet shortit publik, se ku do ti bjeri shtëpia në katin e parë, të dytë apo të tretë, në bazë të tipologjisë 1+1, 2+1 apo 3+1”.
Më tej kryeministri ka shtuar se Bubqi do të kthehet në një nga zonat më të frekuentuara.
“Nga pikëpamja e planifikimit, e cilësisë së ndërtimit, janë si zona rezidenciale në Tiranë ose dhe në bregdet. Janë si zona ku shkojnë njerëzit që kanë më shumë. Këtu do vijë ata që kanë më pak. Çështja është që edhe pjesën jashtë ta kopsisim mirë. Edhe këto vijat, rrugët, të jetë një gjë e kuadratuar”, – u shpreh kryeministri Rama.
Ministri Ahmetaj është shprehur se deri në muajin shtator të vitit tjetër nuk do të kemi asnjë shenjë nga tërmeti pasi sipas tij pak nga pak do të rikonstrukturohen të gjitha.
“Me datë 25 nëntor, vetëm jashtë Tiranës janë gati 3000 familje që futen në shtëpi të reja dhe nuk fusim këtu pallatet DS4 që janë në proces apo DS3 që janë mbaruar. Dalë ngadalë deri në shtator të vitit tjetër nuk do kemi asnjë shenjë nga tërmeti”, – tha ministri Ahmetaj.