Rajon: Maqedonia e Veriut voton sot për Presidentin e ri

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Maqedonia e Veriut, sot jep votën e saj për presidentin e ri.

Fushata për zgjedhjet presidenciale është karakterizuar si më e qetë nga zgjedhjet e mëparshme. Marrëveshja e Prespës, reformat, integrimet euroatlantike si dhe shteti qytetar kanë qenë pikat dominuese të fushatës, shkruan INA.

Mësohet se mbi 1.8 milionë votues, do të përzgjedhin mes tre kandidatëve: Stevo Pendarovski, kandidati i LSDM-së dhe i përbashkët me partitë e koalicionit qeveritar, Gordana Siljanovska Davkova është kandidatja e mbështetur nga partia opozitare maqedonase dhe Blerim Reka si kandidati i vetëm shqiptar i pavarur, por që mbështetet nga partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se 50% të votave dy kandidatët me më shumë vota do të shkojnë në balotazh më 5 maj ku pjesëmarrja e elektoratit duhet të jetë së paku 40% në mënyrë që rezultati të jetë i vlefshëm.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme votuan 1.782 qytetarë të regjistruar që jetojnë jashtë shtetit, në 32 përfaqësi konsullore diplomatike. Po ashtu dje votuan edhe 1.640 persona të burgosur, shtatë persona të shpërngulur brenda vendit dhe 3.583 persona të sëmurë dhe të moshuar.

Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia në vitin 1991.

Shpërndaje
Share.

Komento