Basha dhe Tabaku nuk përmendin emra kur flasin për oligarkët. Kështu, Kreun i PD-së, Lulzim Basha u jep studentëve përkufizimin se kush quhet oligark, por nuk e përmend me emër “Kastratin”
Në mënyrë të përsëritur Gazeta Reforma, duke përcjellë ndjeshmërinë e opinionit publik, i ka bërë thirrje opozitës të denoncojë me emra oligarkët, por PD ka zgjedhur heshtjen. Rasti i fundit është blerja e koncesionit të Aeroportit të Rinasit nga “Grupi Kastrati” që dihet se “de facto” është edhe pronar i koncesionit të aeroportit të Kukësit, por ka marrë edhe kontrata të tjera të panumërta, duke filluar nga Rruga e Kombit, në sektorin e naftës, në ndërtim, në turizëm, deri tek Porto Romano.
“Përkufizimi” i Bashës
I detyruar të bëjë një deklaratë, më në fund, pasi kishte folur edhe kryeministri Rama, reagoi Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në një takim me studentët e Fakultetit Ekonomik, Basha zgjodhi të flasë në përgjithësi, pa e vënë gishtin në emra konkretë.
Të gjithë ata që, sipas Bashës, janë oligarkë, do t’i nënshtrohen një hetimi të thelluar administrativ dhe do t’i përcillen pastaj për ndjekje SPAK-ut.
“Oligarkë janë ata të cilët pushtetin e tyre ekonomik e përdorin për të diktuar vendime politike që nga ligjet, kontrata, leje, licenca dhe gjithçka tjetër. Ata që në bashkëpunim me një grusht qeveritarësh, pastaj vënë në kontroll të gjithë ekonominë, politikën dhe median e vendit. Rruga për t’u marrë me ta është ligji ynë Anti-Mafia. Të gjithë ata që plotësojnë këto kushte do t’i nënshtrohen një hetimi të thelluar administrativ dhe do t’i përcillen pastaj për ndjekje strukturave të posaçme anti-korrupsion. Synimi i ligjit Anti-Mafia është që këta njerëz që janë përfshirë në këto llojë kontratash, mos të gëzojnë të ardhurat e përfituara padrejtësisht dhe këto të ardhura të rekuperohen dhe t’i kthehen qytetarëve”, – dha Basha përkufizimin, gjatë bisedës me studentët e Ekonomikut. Kreu i opozitës ka shpjeguar në mënyrë teorike ligjin anti-mafia që ka hartuar Partia Demokratike, dhe që do ta vërë në zbatim në qeverisjen e ardhshme dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, nëse fiton.
Basha nuk u shpreh për “Grupin Kastrati” megjithëse ky duket qartë se i plotëson kushtet e përkufizimit të bashës, se kush quhet oligark.
Edhe kur ka qenë fjala për të denoncuar monopolin në treg të Vodafonit që mban çmime të kripura për shqiptarët, opozita nuk flet. Po ashtu, Basha nuk përmend kurrë lejet e ndërtimit në bregdet për Zamir Manen apo oligarkë të tjerë që kanë marrë në dorë sektorë si ai shëndetësisë.
Si foli Rama për “Kastratin”?
Para opozitës, vetë Rama nuk ndryshonte nga Basha në fjalët e tij për “Kastratin”, me rastin e blerjes së Rinasit. “Mos harrojmë që koncensionari që ka sot aeroportin është I dyti në radhë kanë pas të tjerë ja kanë kaluar ktij se çfarë bën ky dhe ku I çon aksionet është puna e tij sigurisht në momentin kur ndodh një transferim aksionesh pastaj qeveria ka të gjithë detyrën dhe të drejtën të ndërhyjë për të parë rregullshmërinë dhe zbatimin e të gjitha kritereve. Nuk është asnjë çudi që të jetë e vërtetë ashtu sikundër asnjë çudi që të jetë një proces sic ka pasur në vijimësi me kompanitë e mëdha. Nuk ka asnjë problem.”– tha Rama në konferencë me ministren Balluku.
Edhe Tabaku nuk përmend emra oligarkësh
Në të njëjtën linjë është shprehur sot edhe ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e cila flet për oligarkë pa emra. Në një postim në “Facebook” ajo shkruan se ekonomia do të kontraktohet për këtë vit në 7.5% të PBB-së, duke iu referuar të dhënave të INSTAT.
Për ish-deputeten Tabaku “buxheti 2021 nuk është ideuar për t’i ndihmuar qytetarët. Varfëria do të rritet sikundër dhe BB e ka parashikuar duke shkuar në nivelet e 2005, pra shqiptarët do të kthehen 15 vjet pas tek të ardhurat e tyre”.
“Rama mendon për oligarkët edhe kur ekonomia shqiptare humbet 1 mld euro! Rama dështoi në menaxhimin e dy krizave të mëdha të këtij viti. Qeveria dështoi t’i përgjigjej në kohë krizës së shkaktuar nga tërmeti, dështoi dhe të siguronte ndihmën e duhur njerëzore dhe ekonomike ndaj biznesit dhe qytetarëve përgjatë pandemisë”, shkruan Tabaku.
“Gjëja e fundit që i intereson kësaj qeverie jemi ne, qytetarët e Shqipërisë. Pas 7 vite dështimesh, ajo që mund të ofrojë Rama gjithnjë e më shumë dështime”, shprehet ish deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.
Megjithëse nuk ka reaguar asnjëherë ndaj akuzave nga baza e partisë së vet në Kukës se i tradhtoi protestuesit në Rrugën e Kombit për “Kastratin”, tashmë është e qartë se në krahun e kujt është Lulzim Basha.
/Gazetareforma.com/