Teksa jemi drejt fundit të sezonit turistik, ditën e sotme ka pasur dy humbje jete në Ksamil dhe Shëngjin, ku të dyja viktimat kanë qenë me pushime.
Bëhet e ditur në mesditë se një turiste hungareze me inicialet S.E, 66 vjeç është gjetur e pajetë në dhomën e hotelit ku po qëndronte. Dyshimet paraprake thonë se 66-vjeçarja ka humbur jetën për shkaqe natyrale, teksa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së rëndë.
“Sot, në Ksamil, është gjetur pa shenja jete, në dhomën e hotelit ku qëndronte, shtetasja hungareze S. E., 66 vjeçe, e cila dyshohet se ka ndërruar jetë, për shkaqe natyrale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.
Ndërkohë më vonë është njoftuar se një pushuese rreth 50 vjeçe ende e paidentifikuar ka humbur jetën në Plazhin e Shëngjinit. Bëhet e ditur se gruaja është gjetur pa shenja jete nga autoambulanca me personelin mjekësor, të cilët shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, pas sinjalizimit nga pushues të tjerë. Ndërkohë trupi i pajetë është dërguar në morgun e spitalit të Lezhës, ku do ti nënshtrohet mjekësisë ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes, ndërsa viktima ishte e vetme në plazh.