Pse koronavirusi po vret më shumë meshkujt se femrat?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Mbi 83 mijë viktima dhe rreth 1.4 milionë të infektuar- ky është bilanci i deritanishëm në rang botëror i shkaktuar nga koronavirusi.

Ajo që bie më shumë në sy është fakti se gjinia më e prekur nga virusi është ajo mashkullore.

Pse mes viktimave nga COVID-19 ka më shumë burra sesa gra?

The Guardian shkruan se mesatarisht burrat vdesin më të rinj dhe janë më të rrezikuar nga çdo sëmundje, sidomos nga sëmundjet e zemrës dhe nga çdo lloj tjetër kanceri.

Kur virusi mbetet ende i panjohur, nuk mund të thuhet me saktësi, pse burrat janë më të rrezikuar, por sipas gazetës britanike kjo nuk pasqyron domosdoshmërisht dallime biologjike.

COVID-19 është më i rrezikshëm për njerëzit me probleme shëndetësore, veçanërisht probleme kardiovaskulare ose pulmonare, problemet me mushkëritë ose hipertension dhe këto janë të gjitha kushtet që prekin në mënyrë disproporcionale burrat.

Një tjetër arsye mund të jetë edhe sjellja: burrat kënaqen me veset që dëmtojnë shëndetin e tyre, siç është duhanpirja apo konsumi i alkoolit.

Duke qenë se njerëzit që pijnë duhan janë një ndër kategoritë më të rrezikuara, kjo bën që meshkujt të goditen më shpesh nga virusi sepse pijnë duhan më shumë se gratë.

Një tjetër arsye sipas The Guardian është edhe mosrespektimi i higjenës personale: burrat e neglizhojnë këtë masë mbrojtëse.

Sakaq, burrat kanë sistem më të dobët imunitar dhe janë më të ndjeshëm ndaj një sërë sëmundjesh infektive.

Një tjetër faktor që mund të ndikojë në vdekshmërinë dhe prekjen në shkallë të lartë të burrave është edhe fakti se në shoqëri të ndryshme ata konsiderohen më të fortë se gratë dhe shpesh ‘lihet pas dore’.

Shumë studime tregojnë se gratë kanë më shumë gjasa të kërkojnë këshilla për kujdesin shëndetësor, çka i bën ato më të ditura por edhe më të forta rreth sëmundjeve të ndryshme.

E megjithatë, nuk mund të arrijmë në përfundime të parakoshme, sepse ka ende shumë anë të panjohura të koronavirusit.

Po ashtu, kjo nuk do të thotë se gratë nuk janë të rrezikuara, pasi virusi nuk pyet as për gjini e as për moshë.

Shpërndaje
Share.

Komento