Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen tek marrëdhëniet me Kosovën.
Në një intervistë për televizionin serb “Happy”, Vuçiç me ironi u shpreh se nëse do e njihte Kosovën si shtet do të merrte çmimin Nobel.
“Nëse do ta njohja Kosovën, do të merrja çmimin Nobel. Kam marrë Urdhrin e Vladimir Putinit. Unë jam i vetmi president që kam marrë Urdhrin e Kishës Ortodokse Serbe”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës ai foli për shumë tema, ku ndër të tjera tha se vaksinimi i qytetarëve nga i gjithë rajoni falë Srbisë, fundjavën e kaluar, ishte një sinjal i rëndësishëm se rajoni mund të përparojë.
Ai foli edhe për ish-presidentin e Jugosllavisë, Slobodan Milosheviç, ku tha se, sipas tij nuk ka qenë as budalla e as i pamençur, por ka thënë se ka bërë disa gabime, në mesin e të cilave edhe luftërat në ish-Jugosllavi.
Kujtojmë se një provokim tjetër i Vuçiç shkaktoi reagime të shumta nga persona të ndryshëm publik. Përmes një postimi në rrjete sociale. Ai publikoi një hartë të Kosovës, të mbuluar me flamurin serb.
Postimi i Vuçiçit ngjalli menjëherë zemëratë në mesin e shqiptarëve, të cilët nisën pa humbur kohë një fushatë për heqjen e fotos nga “Instagrami”.
Lidhur me këtë veprim, reagoi ashpër dhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi “hartë leshi” nga “shoku që luan në Facebook”.
“Më mirë kështu që kjo ndodhi pas asaj hartës së leshit që nxori dje ai shoku në Beograd duke lozur me kukulla në Facebook .”, shprehet Rama.