Skip to content
Rajoni

Protestë për rritjen e çmimeve, qytetarët bojkotojnë supermarketet në Malin e Zi

· 2 min lexim

Qytetarët në Malin e Zi nuk pranojnë rritjen e  çmimeve për ushqimet dhe po protestojnë. Ditën e sotme ata kanë ndërmarrë nismën e guximshme e bojkotit publik të supermarketeve në qytete të ndryshme të Malit të Zi në shenjë proteste për rritjen e çmimeve.

Pas një nisme të ngjashme në Kroaci dhe Bosnjë, qytetarët malazezë kanë mbështetur thirrjen e opozitës për të refuzuar marketet e kompanive të mëdha dhe fiksimin e çmimeve të ushqimeve.

Qytetarët shprehen se çmimet janë shumë të larta dhe madje ngrenë akuza se kompanitë bien dakord me njëra-tjetrën duke zhvatur qytetarët dhe eliminuar efektin e rritjeve të vogla të rrogave e pensioneve.

Mediat malazeze shfaqnin pamje të supermarketeve në disa qytete ku shihej efekti i bojkotit qytetar. Nisma e admirueshme e vendeve ballkanike pritet të japë efektet e saj duke u bërë të qartë kompanive të mëdha se publiku i bashkuar mund të përcaktojë sjelljen e tyre dhe jo anasjelltas.

Kujtojmë se në vitin 2022 edhe në Tiranë  qytetarët kanë dalë në protestë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës, të energjisë, që si pasojë sollën edhe rritjen e çmimeve për shportën bazë.

Por në ato vite qeveria luante me çmimet e karburantit sipas tekave të kompanisë Kastrati, i cili e shiste naftën shumë herë më shtrenjtë se në bursa apo në krahasim me vendet e rajonit.  Kjo situatë solli edhe rritjen e çmimeve për ushqimet, ku hera herës abuzohet nga supermarketet e mëdha, por qeveria nuk ka marrë kur masa. Ndërsa në rastet ku protestohej, qytetarët  shoqëroheshin në polici dhe ndiqeshin penalisht.