Skip to content
Bota

Protesta në Gjermani, vonohet konventa e AfD-së

· 2 min lexim

Mijëra qytetarë dolën në protesta të shtunën në qytetin Riesa të landit Saksoni, duke bllokuar rrugët dhe vonuar me dy orë nisjen e konventës së partisë ekstremiste të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Protestuesit u larguan nga policia, ndërsa ngjarja u shoqërua me një prani të madhe të forcave të sigurisë.

AfD, e cila njihet për qëndrimet kundër emigracionit dhe politikave të gjelbra, nisi fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 23 shkurtit, ndërsa bashkëkryetarja Alice Weidel u nominua si kandidate për kancelare.

Gjatë fjalës së saj, Weidel bëri thirrje për mbylljen e kufijve ndaj imigrantëve dhe për rikthimin e gazsjellësit Nord Stream. Ajo u prit me duartrokitje kur premtoi heqjen e turbinave të erës dhe mbështeti masat për kufizimin e emigracionit.

Pavarësisht se sondazhet e rendisin AfD-në në vendin e dytë me 20% të votave, partitë kryesore refuzojnë çdo bashkëpunim me të. Në krye të sondazheve është blloku i Unionit, me Friedrich Merz si favorit për kancelar, ndërsa Socialdemokratët e Olaf Scholz ndodhen në një krizë mbështetjeje me 14-17%.

Në Berlin, Scholz pranoi gabimet e qeverisë së tij të mëparshme dhe u shpreh optimist për zgjedhjet e ardhshme. Ai tha se është koha për një fillim të ri, duke ftuar mbështetësit në një betejë të fortë elektorale.

Zgjedhjet e parakohshme në Gjermani u shpallën pasi koalicioni qeverisës i qendrës së majtë u prish në nëntor pas shkarkimit të ministrit të Financave nga Scholz, duke çuar në krizë politike.