Hetimet Autoritetit të Konkurrencës janë shumë të zgjatura dhe efekti i tyre nuk ndihet në treg. Kritika vjen nga akademikët Profesori i Asociuar, Eltjon Halimi dhe Profesoresha e Asociuar, Rezana Konomi. Ata janë në garë për një vend vakant në Komisionin e Konkurrencës, pasi njërit anëtar, Eduard Ypit ka mbaruar mandati qysh më 30 tetor 2020.
Duke u prezantuar me platformat e tyre në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, kandidatët i kanë “lënë në klasë” vendimet e deritanishme të Autoritetit të Konkurrencës.
“Vendimet të ndikojnë tek konsumatori”
Eltjon Halimi tha se, “nëse ky komision apo Kuvendi do më përzgjedhë, pikë së pari do të kem avokatinë për konsumatorët…Unë do të kem si prioritet ose do të synoj që të vendoset një klimë e ndershme e konkurrencës në vendin tonë, duke kuptuar sa të jetë e mundur dhe duke parandaluar ato lloj marrëveshjesh, të cilat bëjnë pjesë në marrëveshjet e ndaluara, siç mund të jenë marrëveshjet e kartelit apo pozitat dominuese…ekonomia familjare dhe ekonomitë e çdo qytetari janë të rëndësishme”.
Tregu i ilaçeve, monopol çmimesh
Në fillim të pandemisë dhe para disa ditësh, Autoriteti mori disa vendime mbi tregun e barnave, por situata vazhdon të jetë e njëjtë këtë e konstaton edhe kandidati Halimi.
“Kam kuptuar se do të ishte shumë pozitive krijimi i studimit të fenomeneve të tregut, tha Halimi. -Për shembull, për tregun e farmacive, në mënyrë që të mos krijohen monopolet e çmimeve, sepse këto ndikojnë si te qytetari, por edhe te buxheti i shtetit që ka Fondin e Sigurimeve”.
Tregu i universiteteve, vendim i gabuar i AK
Po ashtu ai e gjykon të gabuar mënyrën e hetimit të Autoritetit të Konkurrencës për tregun e universiteteve.
“Mund të ketë një lloj konkurrence, e cila mund të shfaqet me tarifa të ulëta, të cilat çojnë në një konkurrencë ku vetë qytetari do ta shohë nga çmimi, jo nga cilësia. Pra, në gjykimin tim, konkurrenca duhet të bazohet te cilësia e një shërbimi dhe produkti që ofrohet dhe, sigurisht, ofrimi i arsimit të lartë është një produkt që ofrohet në treg dhe mund të ketë arsye kur ofrues të ndryshëm të këtij shërbimi të bazohen tek ulja e tarifave dhe në këtë mënyrë bëjnë të mundur shfaqjen e një konkurrence që ka si bazë çmimin e ulët ose tarifa të ulëta dhe jo cilësinë e shërbimit që ofrojnë”, tha Halimi. Në fakt AK kishte nxjerrë konkluzione nisur nga tarifat.
AK të kontrollojë koncesionet, të drejtat ekskluzive
Ndërsa Rezana Konomi deklaroi se Autoriteti duhet të jetë i pavaruar nga politika, duke lënë të kuptohet se aktiviteti i tij ndikohet nga “lart”.
“Autoriteti i Konkurrencës është një institucion publik i pavarur, e vlerësoj shumë pavarësinë e tij, sepse vetëm duke qenë i pavarur në vendimmarrjet e tij dhe i pandikuar nga faktorë politikë ose jopolitikë, ndoshta do të jetë i vetmi që mund të tregojë rolin e vet dhe të jetë efikas në treg. Pra, pavarësia e institucioneve fillon që në momentin kur krijohen dhe se si e zbatojnë këtë parim gjatë gjithë veprimtarisë së vet”, tha Konomi.
Ajo deklaroi se bashkëpunimi me AKEP. Autoritetin Rrugor, AMF është formal.
“Një rëndësi të veçantë do t’i kushtoja edhe bashkëpunimit me entet rregullatore, si AKEP-in, Autoritetin Rrugor, AMF-në nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit, që për hir të së vërtetës nuk mungojnë në AK, por do të doja që këto marrëveshje të mos ngeleshin thjesht formale”, deklaroi Konomi.
Lidhur me proceset hetimore, Konkomi shtoi se”është shumë e rëndësishme që të rritet efikasiteti dhe të shkurtohen këto afate, në mënyrë që efektet e shkeljes, të rivendosjes së konkurrencës apo të rregullave të lojës të mund të ndihen në moment për klimën e biznesit, për operatorët që janë konkurrentë direkte ose jo, por, mbi të gjitha, edhe për ne si konsumatorë. Ndodh që bëhet një hetim, merret një vendim, ndoshta edhe penalitet me gjobë, por nuk i ndiejmë efektet e asaj që kërkojmë të korrektojmë ose i ndiejmë aq vonë sa vërtetë kemi harruar çfarë ka ndodhur. Kështu që unë besoj që kjo është shumë e rëndësishme për të gjetur mekanizma për të shkurtuar afatin e proceseve hetimore”.
Kandidatja është ndalur edhe tek të drejtat ekskluzive me anët koncesioneve PPP.
Konomi tha se “do të fokusohesha shumë edhe te vlerësimi ligjor dhe ekonomik i të drejtave ekskluzive, të cilat ndoshta krijojnë pozitë të favorizuar për një ose disa subjekte kundrejt apo në raport me të tjerët. Vlerësimi paraprak i dhënies së të drejtave ekskluzive për të kuptuar arsyet pse jepet, duhet apo jo të jepet dhe çfarë pasojash të pritshme mund të ketë nga dhënia e këtyre të drejtave, është shumë e rëndësishme të ndodhë. Gjithashtu, do të vlerësoja shumë sidomos dhënien e të drejtave koncesionare apo të partneritetit publik-privat”.
/GazetaReforma.com/