Problemet me sigurinë në Rinas: Si i shpërfilli Rolf Castro-Vasquez paralajmërimet e policisë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Teksa ka kaluar thuajse një muaj nga supergrabitja spektakolare e 6.5 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka marrë në dorëzim çështjen, ende nuk ka lëshuar në fletëthirrje për drejtorin e përgjithshëm të aeroportit, shtetasin gjerman Rolf Castro-Vasquez.

Kjo ndonëse prej disa kohësh, në media kanë dalë në dritë fakte të qarta që tregojnë sesi Vasquez ka injoruar me vetëdije të plotë paralajmërimet e shefit të Policisë së Rinasit, Përparim Demo, i cili i kishte vënë në dukje problemet alarmant me sigurinë në aeroport, ku vetëm tre vite më parë kishte ndodhur një tjetër grabitje spektakolare me një dëm prej 990 mijë eurosh.

Por ndonëse në letrën e dërguar nga Demo evidentohen problemet në portat e emergjencës dhe me mungesën e sensorëve në gardhin metalik rrethues, Rolf Castro-Vasquez, drejtor i përgjithshëm i TIA e rrjedhimisht edhe përgjegjës për ICTS-në, kompaninë që siguron perimetrin e aeroportit, ka vendosur të mos marrë asnjë masë.

Ai i është përgjigjur Demos me një tjetër letër ku hedh poshtë konstatimet e bëra duke theksuar se auditimet ndërkombëtare nuk kanë ngritur asnjë problematikë me Rinasin.

Një gjë e tillë u provua të ishte e pavërtetë vetëm pak muaj më vonë, kur Admir Murataj dhe banda e tij grabitën shifrën marramendëse të 6.5 milionë eurove në bordin e avionit të Austria Airlines, në mes të pistës së aeroportit.

Siç shkruan gazeta “Panorama”, TIA i kërkon policisë që për çështje të cilat lidhen me masat e sigurisë të zbatuara në aeroport, Komisariati i  Rinasit duhet të adresojë shqetesimet tek Autoriteti i Aviacionit Civil.

Por edhe pas këtyre korrespondencave kompania koncesionare nuk mori asnjë masë për të rritur nivelin e sigurisë.

Korrespondenca mes Policisë së Rinasit dhe TIA-s është vënë në dispozicion edhe të prokurorëve të çështjes të cilët po analizojnë veprimet e të dyja palëve për të nxjerrë përgjegjësit. M

egjithatë, duket se Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka marrë me nge edhe këtë herë me Vasquez, i cili ndërkohë, e ka parë të arsyeshme të largohet nga Shqipëria, teksa hetimet supozohet të ishin në një pikë kulminante.

Ky nuk është rasti i parë që drejtori i TIA-s shpëton pa lagur me gjithë peripecitë që ndodhin në aeroportin më të madh në vend.

Në grabitjen e bujshme të 990 mijë eurove në 2016-ën, Castro-Vasquez nuk u paraqit në Prokurori për të dëshmuar pasi ndonëse në Rinas bëhej nami, ai ndodhej me pushime jashtë vendit dhe nuk e pa të arsyeshme t’i ndërpriste ato, pasi duket qartë se në Tiranë, shpatullat i ka të mbrojtura. /gazetareforma

Shpërndaje
Share.

Komento