Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shpalli gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
Në një konferencë për media, ai deklaroi se kompania publike “Pastrimi”, e vetmja e angazhuar për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, nuk ka arritur të jetë efikase në realizimin e këtij detyrimi.
“Do të vazhdojmë që gjendjen emergjente që e kemi shpallur, ta përdorim për angazhimin e kompanive private për të ndihmuar për pastrimin e mirëfilltë të kryeqytetit”, ka thënë Rama.
Në vitin 2024, Komuna shpalli gjithashtu gjendje të jashtëzakonshme dhe angazhoi përkohësisht operatorë privatë shtesë për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë.
Sipas Ramës, një angazhim afatgjatë ishte bllokuar nga asamblistët opozitarë në Komunë, që miratuan një rregullore që i dha ndërmarrjes “Pastrimi” të drejtën ekskluzive për shërbimin. Po ashtu, gjatë vitit 2024, punëtorët e “Pastrimi” protestuan para Komunës, duke u ankuar kundër angazhimit të kompanive private, të cilat, sipas tyre, kërcënonin ekzistencën e kompanisë dhe mund të çonin në falimentimin e saj.
Kompania “Pastrimi”, një ndërmarrje publike lokale me rreth 900 punëtorë, ofron shërbime për grumbullimin e mbeturinave në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën.
Petrit Reçica, kryeshef i kompanisë, ka reaguar ndaj kritikave të zyrtarëve komunalë, duke mohuar akuzat se kompania nuk po kryen punën siç duhet.
“Ne po punojmë pa pushim 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida, dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim, që Prishtinën do ta pastrojmë nga mbeturinat”, ka shkruar Reçica në Facebook.
“Pra, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike”, ka shkruar Reçica
Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, ka theksuar se situata aktuale, që është përkeqësuar, ka bërë të nevojshme shpalljen e sërishme të gjendjes së jashtëzakonshme.
“Kompania “Pastrimi” me logjistikën që ka pasur, nuk ka pasur mundësi t’u ofrojë qytetarëve as kontejnerët, as mekanizmin e duhur për bartjen e mbeturinave”, ka theksuar ai.
Sipas komunës, një ekip i Drejtorisë së Shërbimeve Publike ka inspektuar terrenin dhe ka konstatuar një situatë alarmante, me rrezik të lartë për përhapjen e epidemive. Ndërmarrjet publike për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë shpesh përballen me mungesë kapacitetesh, për shkak të vështirësive në inkasimin e borxheve nga qytetarët.
Punëtorë të këtyre ndërmarrjeve shpesh kanë protestuar, madje kanë mbajtur edhe greva në lidhje me kushtet e punës dhe pagat e ulëta.