Në këtë sezon virozash mjekët pediatër po përballen me një fluks të madh vizitash.
Gjithashtu edhe për shkak të situatës si pasojë e Covid-19, fluksi është shtuar dhe bashkë me të është shtuar edhe ankthi i prindërve për fëmijët e tyre të vegjël.
Për shkak të ankthit nga Covid, prindërit nxitojnë menjëherë që të dërgojnë fëmijët te mjeku qoftë edhe për një temperaturë të lehtë, duke i tejkaluar kapacitetet e pediatrive.
Sipas mjekëve pediatër në qendrat shëndetësore, numri i vizitave të fëmijëve brenda një muaji, shkon në rreth 700 vizita.
“Kam përshtypjen që diferencimin e një gripi të thjeshtë me një pacientë covid pozitiv është pak e vështIrë për cilindo mjek, besoj se tamponi është ai që i diferencon situatat. Mund të ngatërrohen shumë lehtësisht me njëra tjetrën, megjithatë ardhja që ditën e parë të një temperature pranë nesh nuk diagnostikon apo nuk diferencon diagnozat virusit i gripit apo virus i covid”, ka treguar mjekja pediatre, Besiana Hoxha.
Një përllogaritje e përgjithshme mujore mund të them që shkon tek 600-700 vizita në muaj por duke menduar që është piku i sezonit të vjeshtës dhe virozave sezonale, është mëse normale në kuadër të numrit që pritej. Kryesisht sistemi respirator është ai që na troket më shumë në derë”, ka treguar pediatrja Hoxha, duke shtuar se nuk kanë qenë të pakta rastet që ka ekzaminuar fëmijë të cilët kanë rezultuar pozitiv me covid.
Ndërkohë në lidhje me këtë problematikë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi ende nuk thotë asnjë fjalë. Ditën e djeshme gjatë pjesëmarrjes në Komisionin e Edukimit, ministrja e “kyçi” gojën dhe nuk dha asnjë shifër në lidhje me nxënësit, fëmijët, mësuesit e prekur nga Covid nëpër shkolla dhe kopshte.
Gjatë seancës dëgjimore me Komisionin e Edukimit, Kushi u shpreh se çdo ditë monitorohet situata nëpër shkolla duke marrë informacion ditor për rastet e reja, mungesat apo problematika të tjera që mund të cënojnë shëndetin e nxënësve në shkolla.
Por nga ana tjetër ministrja në asnjë moment nuk dha shifra konkrete, edhe pse vuri “kasetën” e përhershme duke pretenduar se Zyrat arsimore kanë marrë masat për zëvendësimin e mësuesve të infektuar apo të karantinuar me mësues nga portali Mësues për Shqipërinë
Sipas ministres, institucioni që ajo drejton, po punon paralelisht edhe për mësimdhënien online, skenare që mund të shfrytëzohen edhe në njën situatë kritike të pandemisë.
“Për të mbështetur nxënësit dhe mësuesit Ministria e Arsimit po punon paralelisht edhe për mësimdhënien në distancë. Pra ne jemi të përgatitur edhe për skenarë që mund të vijnë si rezultat i përkeqësimit të situatës së pandemisë Covid-19”, ka thënë në Komisionin e Edukimit, ministrja e Arsimit.
Përsa i përket testimeve, minstrja Kushi shpjegoi se në bazë të respektimit të protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë, tamponi bëhet vetëm kur nxënësi apo mësuesi paraqesin shenjat e Covid-19./GazetaReforma.com