Sot,më 8 dhjetor, me rastin e Ditës së Rinisë në Shqipëri, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dhënë një mesazh në rrjetin e tij social, Facebook.
Duke shprehur mirënjohje për të gjithë studentët, ai kujton edhe liderin e lëvizjes studentore, Azem Hajdarin.
Sipas Metës, Hajdari ishte ai që frymëzoi mijëra student, pedagogë dhe intelektual.
Presidenti e mbyll mesazhin duke inkurajuar dhe duke mbështetur rininë dhe mbi të gjitha studentët të cilët sipas tij janë me shpirt të lire, të guximshëm dhe energjik.
Mesazhi i prestidentit Ilir Meta
”Mirënjohje të gjithë studentëve, të rejave e të rinjve, të cilët 28 vite më parë vërshuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me thirrjen që kumbonte nga gjokset e tyre rinore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe “Liri-Demokraci”, për të shndërruar 8 Dhjetorin në Ditën e tyre, Ditën e Rinisë, Ditën e Lirisë, Ditën e Europës.
Kujtojmë me nderim veprën e Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore, i cili me guxim, kurajë e shpirt sakrifice frymëzoi ato minuta e orë vendimtare për mijëra studentë, të rinj, pedagogë e intelektualë, për të kthyer në Shqipëri lirinë e munguar.
Jehona e thirrjeve “Liri-Demokraci” dhe e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” të 8 dhjetorit 1990 është ende një aspiratë, jo plotësisht e realizuar.Inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veçanërisht studentët, të cilët me shpirtin e tyre të lirë, energjinë, guximin e kurajën e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt të tyre në Shqipëri.”
(BalkanWeb)