Kreu demokrat Lulzim Basha ka mbajtur fjalimin e humbjes para selisë blu, por në asnjë moment nuk e ka përmendur dorëheqjen. Basha pranoi humbjen dhe tha se është bërë një masakër elektorale dhe se qveria ndryshoi Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor duke thyer rregullat. Kryedemokrati tha se PD do të vazhdojë betejën sepse misyioni është më i madh se gjithësecili.
Ai gjithashtu falenderoi mbështetësit e PD, anëtarët e komisionit, komisionerët, numëruesit dhe vullnetarët për angazhimin e tyre.
“Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve.
Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale.
Do ta vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë. Do të luftojmë deri në fitore sepse misioni është më i madh se të gjithë ne. PO u dorëzuam ne Shqipëria nuk ka më asnjë mundësi. Dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë. Vëllezër dhe motra falenderoj mbështetësit tanë. Anëtarët e komisionit. Komisionerët, numëruesit dhe vullnetarët për angazhimin e pashembullt. Iu falenderoj nga thellësia e zemrës. Faleminderit për besimin tuaj. Iu premtoj se nuk do t’ju zhgënjejmë kurrë. Ne do të luftojmë për ju. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime dhe detyrimi që kam para jush”, deklaroi Basha.