Turma brohoriti dhe spektatorët në internet mbajtën frymën, ndërsa avioni rrëshqiti drejt pistës në aeroportin “Zayed –Flatrat e Veriut” në qytetin verilindor të Kukësit, pranë kufirit me Kosovën.
Avioni ‘Airbus A319’ i Air Albania ndaloi nën zhurmën e muzikës që shpërthente nga altoparlantët; punëtorët e aeroportit shpalosën një tapet të kuq, ndërsa kryeministri i vendit, Edi Rama zbriti nga aeroplani me një pallto të gjatë të zezë, tuta sportive, t-shirt dhe atlete të bardha, teksa shoqëronte dy bashkëudhëtare, një grua dhe vajzën e saj të vogël.
Ishte një shfaqje e denjë për në Hollivud, më shumë se një garë politike për t’u rizgjedhur. “Politikanët janë kthyer në influencers [personalitete me ndjekje të lartë në mediat sociale] dhe ata konkurrojnë për vëmendje me aktorët ose blogerët e famshëm,” tha Blendi Salaj, një analist i medias dhe moderator në A2 TV.
“Ata postojnë vazhdimisht për të tërhequr vëmendjen, për të gjeneruar klikime, por jo domosdoshmërisht për të komunikuar mesazhin e tyre politik,” shtoi ai.
Fluturimi ishte i pari për aeroportin e Kukësit, i cili është ende në ndërtim e sipër. Por ishte Rama ai që vodhi shfaqjen, përmes transmetimit live të videos me koreografi të kuruar kujdesshëm në faqen e tij në Facebook. Videoja u pa mbi 1.6 milionë herë, duke u kthyer në postimin në rrjetet sociale që fitoi më shumë ndërveprime nga çdo kandidat tjetër që garonte në zgjedhjet e 25 prillit.
Mes kufizimeve të COVID-19, media sociale u bë më shumë se kurrë një mjet kryesor i komunikimit për partitë politike dhe kandidatët e zgjedhjeve parlamentare. Dhe Partia Socialiste e Ramës ishte më aktivja, sipas analizës së të dhënave të kryer nga BIRN. Në garën për të ndikuar sa më shumë votues, kandidatët në zgjedhje postuan një total prej 25 mijë postimesh nga 298 faqe Facebook-u nga 26 marsi deri më 24 prill, me një mesatare prej 819 postimesh ditore.
Duke përdorur Crowdtangle, një aplikacion në pronësinë e Facebook për analiza në mediat sociale, BIRN gjeti se kandidatët e Partisë Socialiste në pushtet patën për shumë ndërveprime në mediat sociale me ndjekësit e tyre sesa rivalët e opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike.
Faqet e kandidatëve socialistë në rrjetet sociale regjistruan 9.72 milionë ndërveprime në total në Facebook gjatë fushatës elektorale, të ndjekur nga demokratët me 8.76 milionë ndërveprime dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 576,333. Në Instagram, socialistët ishin sërish përpara me 2.6 milionë ndërveprime në total, të ndjekur nga demokratët me 1.79 milionë dhe kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim me 270,099.
“Nëse sheh se si dhe çfarë ata postojnë, vëren një angazhim shumë profesional në video, grafika dhe fotografi,” tha Salaj për BIRN.
“Politikanët kanë dalë nga detyra e tyre zyrtare dhe janë kthyer në një lloj animatori të shoqërisë,” shtoi ai.
Forcimi i liderëve partiakë
Rama siguroi një mandat të tretë radhazi në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa partia e tij fitoi 48.86 për qind të votave ose 74 nga 140 deputetët e Parlamentit. Demokratët fituan 59 mandate, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate.
Për llogari të kësaj analize, BIRN shqyrtoi më shumë se 756 faqe në Facebook dhe Instagram, përfshirë faqet e partive dhe faqet e degëve lokale të tre partive më të mëdha politike që morën pjesë në zgjedhje.
Edhe pse shkalla e ndërveprimeve totale të kandidatëve nuk përkthehet domosdoshmërisht në vota, ajo është një tregues i mirë i eficensës së mesazheve të një kandidati. Analiza nuk përfshin llogaritë private apo grupet e mbyllura.
Të dhënat nga Crowdtangle tregojnë se gjatë 30 ditëve të fushatës, 298 faqet e Facebook-ut gjeneruan së bashku një total prej 19.22 milionë ndërveprimesh në Facebook dhe 167.64 milionë shikime të transmetimeve direkte apo videove të postuara.
Pothuajse një e treta e ndërveprimeve në Facebook u gjeneruan nga liderët e dy partive kryesore, Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Rama regjistroi 4.7 milionë ndërveprime në Facebook ose 25% të ndërveprimeve të të gjithë kandidatëve së bashku, ndërsa Basha regjistroi rreth 2.1 milionë ndërveprime ose 11% të totalit.
Së bashku, Rama dhe Basha regjistruan 46% të totalit prej 167.64 milionë shikimeve të videove gjatë fushatës elektorale. Rama pati 56.4 milionë shikime të videove ose 34 për qind të totalit, ndërsa Basha pati 21.3 milionë shikime ose 13 për qind të totalit.
“Media sociale ndikoi në forcimin e ndikimit të liderit politik në raport me figurat e tjera partiake, për shkak të se strukturat partiake u udhëzuan të bëjnë ‘share’ kryesisht liderin dhe të preferuarit e tij,” thotë Afrim Krasniqi, drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike.
Rama dominoi gjithashtu në Instagram me 1.08 milionë ndërveprime ose 23 për qind të totalit prej 4.78 milionë ndërveprimesh nga të gjithë kandidatët. Në këtë platformë, Basha u tejkalua nga kandidatja e tij demokrate, Ori Nebiaj –një moderatore popullore televizive, e cila regjistroi 511,889 ndërveprime, ndërsa lideri i partisë siguroi vetëm 307,112 ndërveprime.
Por jo të gjithë ata që gëzuan sukses në rrjetet sociale siguruan të njëjtën mbështetje në kutitë e votimit.
“Tek PS kandidatët më të votuar në garën e brendshme elektorale rezultuan të jenë individë pa fushata masive online, tek PD me ndonjë përjashtim është gjithashtu e njëjta situatë,” tha Krasniqi, i cili vuri gjithashtu në dukje se partitë e reja politike me ndjekje të konsiderueshme në internet në të vërtetë dolën keq në zgjedhje.
“Fushata online lejoi ndikim të partive e kandidatëve kryesisht tek zonat urbane dhe tek brezi përdorues i teknologjisë, duke e lënë periferinë të painformuar dhe lehtësisht më të aksesueshme nga individët e pasur dhe ata me kapacitet të shitblerjes së votës,” shtoi Krasniqi për BIRN.
Sa për faqet në Facebook të 17 partive politike, ato morën së bashku 701,150 ndëveprime ose thuajse sa gjysma e faqeve që i përkisnin Partisë Socialiste. Socialistët morën gjithashtu pothuajse 65% të 13.68 milionë shikimeve të videove në total në Facebook, ndërsa demokratët morën vetëm 24%.
‘Kërcënim për demokracinë’
Krasniqi mendon se fushata në mediat sociale nuk i bëri kandidatët më të arritshëm. Përkundrazi, kjo i lejoi ata që të shmangnin kontrollin nga gazetarët si dhe të kontrollonin narrativën.
“Minimizoi rëndësinë e programeve elektorale dhe forcoi rëndësinë e elementëve vizualë dhe reklamës,” tha Krasniqi. “Fushata online dobësoi gjithashtu rolin e medias në fushatë, peshën e raportimit të lajmit dhe gazetarët,” shtoi ai.
Kreu i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali bie dakord, ndërsa thotë se dominimi i mediave sociale e fshiu rolin e reporterëve të lajmeve.
“Duke fshirë gazetarët, politikanët hoqën personazhin që është atje për të bërë pyetjet e vështira,” tha Cukali. “Duke hequr rolin e gazetarit, u bë një përpjekje për të lidhur politikanët drejtpërdrejt me votuesit përmes mediave sociale,” shtoi ai.
Debati konstruktiv është pothuajse një gjë e së kaluarës në mediat sociale thotë Salaj, ndërsa shton se mënyra se si politikanët po e përdorin median sociale është gërryese për demokracinë.
“Unë dua ta besoj se ato nuk mund ta dominojnë më para median sociale, por në momente si këto, kur paraja hidhet lumë ato mundet ta çorientojnë debatin publik,” tha Salaj për BIRN.
“Mediat sociale, në mënyrën se si funksionojnë, në mënyrën se si ata pranojnë para ose tërheqin më shumë vëmendje për disa personazhe, mund të jenë një kërcënim për demokracinë,” përfundoi ai.
Marrë nga BIRN