Policia Rrugore e Tiranës vijon aksionin për kontrollin e drejtuesve të automjeteve.
Në 24 orët e fundit janë arrestuar 7 shoferë, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Në njoftimin në faqet zyrtare online, Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e :
- Një drejtuesi mjeti për mitëdhënie
- Një drejtuesi mjeti, për aksident rrugor duke rrezikuar jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës, i cili u largua nga vendngjarja
- 5 drejtuesve të tjerë automjetesh, nga të cilët 2 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 pa leje drejtimi.
Po ashtu, ka bllokuar në një autoservis në rrugën Vorë-Marikaj një automjet, i cili pas verifikimeve rezultoi i vjedhur në Angli.
Fenomeni i abuzimit me alkoolin nuk mungon as te drejtuesit e autobusëve, përgjegjës për jetën e dhjetra pasagjerëve.
I tillë ka qenë rasti i një shoferi në Bathore, i cili drejtonte mjetin nën efektin e akoolit edhe pse në ato momente kishte shumë pasagjerë.
Ai është ndaluar nga policia.
Njoftimi i plotë
“Tiranë
Rrugorët e kryeqytetit arrestojnë një tjetër drejtues mjeti për mitëdhënie.
Në pranga dhe një drejtues mjeti, për aksident rrugor duke rrezikuar jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës, i cili u largua nga vendngjarja.
Gjithashtu, në pranga edhe 5 drejtues të tjerë mjetesh, nga të cilët 2 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 pa leje drejtimi.
Bllokohet në një autoservis në rrugën Vorë-Marikaj një automjet, i cili pas verifikimeve rezultoi i vjedhur në Angli.
Kontrolle për alkool edhe në linjat interurbane, ku një drejtues autobusi i linjës së Bathores drejtonte nën efektin e alkoolit autobusin me pasagjerë, pa kryer kontroll teknik dhe me siguracion të përfunduar.
Rrugorët e kryeqytetit, në zbatim të Planit Operacional Tispol për “Targat e humbura, të vjedhura dhe të çregjistruara 2020”, si dhe në zbatim të detyrave për rritjen e kontrolleve kryesisht në njollat e zeza, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, rritjen e sigurisë rrugore dhe asaj publike, kanë shtuar kontrolle në të gjithë territorin.
Kontrollet janë përqendruar në rrugët me risk të lartë për aksidentet rrugore, si dhe në verifikimet e serviseve, pikave të shitjeve të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit, për gjetjen dhe dokumentimin e targave apo mjeteve që kanë interes për strukturat e tjera policore.
Si rezultat i kontrolleve të kombinuara, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në kushtet e flagrancës 7 drejtues mjetesh, nga të cilët:
2 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 1 për “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të arrestuar nga shërbimet e trafikut urban; 3 të papajisur me leje drejtimi, të arrestuar nga shërbimet e Policisë Rrugore interurbane dhe 1 drejtues mjeti për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largim nga vendi i aksidentit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të rendit publik”, i cili rrezikoi jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës dhe efektivëve të Policisë Rrugore në zonën e Kamzës, për shkak të manovrave të rrezikshme gjatë tentativës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe me qëllim shmangien e Policisë Rrugore. Falë ndjekjes pa ndërprerje nga efektivët e Policisë Rrugore interurbane, u bë i mundur ndalimi dhe arrestimi në flagrancë pranë banesës së tij dhe nga verifikimi drejtuesi i këtij mjeti rezultoi edhe me precedent policor dhe penal të mëparshëm, për vepra të tjera penale.
Te gjitha shërbimet e trafikut urban dhe atij interurban në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë vijojnë kontrollet në funksion të Planit Operacional, për monitorimin e trafikut dhe kontrollet e kombinuara me radar e drager, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e së sigurisë së jetës në rrugë.
Policia Rrugore e Tiranës falënderon qytetarët e shumtë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme po adresojnë shkelje të Kodit Rrugor dhe fton cilindo që konstaton apo has në shkelje të Kodit Rrugor t’i adresojë ato në adresë të Komisariatit Dixhital, në numrin e emergjencave 112, si dhe në adresat e tjera zyrtare të Policisë së Shtetit, duke u garantuar se çdo shqetësim do vlerësohet me profesionalizëm dhe paanshmëri.”