“Po më shkatërrojnë karrierën për shkak të lojërave në polici.” Këto fjalë të fundit të një polici, dërguar djalit të tij pak para se të hidhej nga kati i 11-të, zbërthejnë ADN-në e një shteti ku drejtësia është thjesht një fjalë e zbrazët.
Azbi Spahiu, 57 vjeç, polic i thjeshtë rrugor, u gjet në buzë të humnerës mes detyrës dhe mbijetesës. Deri dje, ai ishte thjesht një uniformë blu që ndali një makinë pas një aksidenti. Sot, gjendet në një shtrat spitali, i mbijetuar për mrekulli falë telave të internetit që ngadalësuan rënien e tij vdekjeprurëse. Krimi i tij? Guxoi të trajtonte si të barabartë para ligjit djalin e një oligarku.
Martin Mane, i biri i famëkeqit Samir Mane, përplasi dy makina të parkuara pranë Parlamentit dhe u përpoq të arratisej si një kriminel i zakonshëm. Kur u ndalua, refuzoi me arrogancë testin e alkoolit – privilegj ky që i takon vetëm të “paprekshmëve” në këtë vend.
Por sistemi nuk vonoi të aktivizohej. Si një makineri e mirëvajosur që mbron privilegjet e të fortëve, secili institucion luajti rolin e vet në këtë valle të turpshme. Prokuroria shpalli “të paligjshëm” arrestimin për shkelje flagrante. AMP, në vend që të hetonte shkelësin e ligjit, thirri në pyetje zbatuesin e tij.
Për dy orë të gjata në zyrat e AMP-së, Spahiu u mor në pyetje. Jo për të zbuluar të vërtetën, por për t’i mësuar se çfarë ndodh kur guxon të zbatosh ligjin ndaj të paprekshmëve.
Policia e Shtetit, e cila në rastin e Martin Canit u sul menjëherë të akuzonte median, tani është strukur në qoshe dhe hesht. Prokuroria fshihet pas një vendimi absurd që nuk guxon ta shpjegojë. AMP nuk ka nisur asnjë hetim për presionin që çoi një polic drejt vetëvrasjes, apo për lejimin e Manes të largohej pa bërë testin e detyruar të alkoolit.
Por heshtja më e rëndë vjen nga media. Fuqia e oligarkut ka arritur të mposhtë edhe zërin e së vërtetës. Përmes reklamave e favoreve, ka vënë në gjumë ndërgjegjen e mediave të mëdha. E vërteta është bërë peng i interesave komerciale, ndërsa gazetarët janë kthyer në spektatorë të heshtur të kësaj farse të turpshme.
Në spitalin e Traumës, Azbi Spahiu lufton për jetë. Në vilat e tyre luksoze, përgjegjësit e vërtetë vazhdojnë të mos trazojnë ujërat. Samir Mane hesht me arrogancën e atij që e di se sistemi është në xhepin e tij. Drejtuesit e policisë dhe prokurorisë fshehin kokën si struci pas “hetimeve në proces”.
Jetojmë në një vend ku ligji është thjesht një sugjerim për të pasurit dhe një thikë në kurriz për të varfrit. Zbatimi i ligjit të çon në vetëvrasje, ndërsa shkelja e tij të siguron mbrojtje institucionale.
Sot, teksa Azbi Spahiu lufton për jetën në një shtrat spitali, mesazhi për çdo polic është bërë kristal i qartë: në këtë vend, zbatimi i ligjit është luks që mund t’ju kushtojë jo vetëm karrierën, por edhe jetën. Ndërsa për oligarkët dhe bijtë e tyre, ligji mbetet thjesht një tekst i zbrazët që mund ta anashkalojnë edhe me një telefonatë.
Ky është realiteti i hidhur i një shteti që pretendon rrugën drejt Europës, ndërsa në praktikë funksionon si një vend mesjetar ku drejtësia matet me peshën e xhepit dhe fuqinë e mbiemrit.
/gazetareforma.com