Ditën e sotme Bordi i Transparencës ka ndryshuar sërish çmimet e karburanteve. Sipas njoftimit zyrtar bëhet me dije se nafta do të shitet jo më shumë se 190 lekë/litri, duke e ulur me 5 lekë për litër nga vendimi i datës 15 shkurt.
Ndërsa benzina jo më shumë se 186 lekë/litri, duke u ulur çmimi me 3 lekë për litër. Çmimi i shitjes me pakicë i gazit do të jetë 80 lekë/litri.
Me këtë ndryshim të çmimeve të karburanteve, bordi i Ramës e tregon hapur arsyen se pse vazhdon ‘talljen’ me shqiptarët duke ulur naftën me 5 lekë, më shumë sesa e ka ulur në vendimet e tjera në raport me çmimin e naftës në bursë. Mos ndoshta Bordi me këtë vendim po na paralajmëron se po afrohet ndonjë skandal tjetër më i madh se ai i McGonigal? Apo me këtë ulje çmimi po i “mbyll gojën” shqiptarëve para protestës së thirrur nga PD më 3 mars?!
Pasi sot çmimi i naftës në bursë është 83 usd fuçia njësoj siç ka qenë edhe herë të tjera kur Bordi vendoste të ulte çmimin. Por në rastet kur çmimi ka qenë 83 usd fuçia e kemi paguar më shtrenjtë, ndërsa sot me të njëjtin çmim në bursë paguajmë më pak. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të presim për “shpërthimin” e ndonjë skandali të ri, ose të kalojë 3 marsi dhe Bordi i Ramës të vazhdojë lojën duke e rritur përsëri çmimin e karburanteve.
Njoftimi
Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 18 Shkurt 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 17.02.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 814, -34 nga data 14.02.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 783, -55 nga data 14.02.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar rritje në 109.3, 16 (+1.12 nga data 14.02.2023).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 190 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 178 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 186 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 174 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 80 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 68 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 96 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 18 Shkurt 2023, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.