Platforma sekrete që ‘groposi’ shefin e OFL-së, dekonspiroi informacionet për grupin e kokainës (DETAJE)

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kreu i Operacionit Forca e Ligjit (OFL), Artan Shkëmbi, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut, si dhe me kërkesë të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), u pezullua ditën e djeshme nga posti i tij.

Pezullimi i tij erdhi pasi grupi hetimor bazuar në indicie kishte dyshime se kreu i OFL-së, kishte dekonspiruar disa operacione si dhe kishte nxjerrë sekretet  hetimore.

Bëhet me dije se autoritetet gjermane i kanë kërkuar kreut të OFL-së,  Artan Shkëmbit, informacion në lidhje me një grup të strukturuar kriminal i cili vepronte kryesisht në territorin gjerman me trafikimin e dorgërave të rënda, të tipit kokainë. Mirëpo kreu i OFL-së, mësohet se i ka dekonspiruar këto informacione sekrete.

Hetimi i autoriteteve gjermane dhe më pas homologëve të tyre në Shqipëri për Artan Shkëmbin, kanë nisur rreth 6 muaj më parë, kur informacionin e ndjeshëm kreu i OFL-së ua ka dërguar njëkohësisht përmes platformës sekrete “cryptochat”, edhe grupeve kriminale, duke i vënë ata në dijeni për lëvizjet e radhës.

Tashmë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e ka akuzuar shefin e OFL-së për dekonspirim hetimesh dhe operacionesh, si dhe për nxjerrje të sekretit hetimor.

Gazetarja Klodiana Lala ka bërë me dije se sekreti hetimor që Shkëmbi ka nxjerrë, është lajmërimi në platformën “cryptochat”, të njërit prej anëtarëve të një grupi të sofistikuar kriminal, në lidhje me hetimin pasuror që po i bëhej atyre.

Shkëmbi i ka thënë anëtarit të këtij grupi kriminal se autoritetet gjermane po i hetojnë, dhe kërkojnë informacion për pasurinë e tyre.

Biseda mes Shkëmbit dhe anëtarit të grupit kriminal e bërë përmes platformës sekrete “cryptochat” i është vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme.

Ndërkohë nesër në  orën 11:00, Shkëmbi do të paraqitet në seancën e marrjes në pyetje.

Shpërndaje
Share.

Komento