Një ngjarje e rëndë është regjistruar pak pas mesnatës së 14 shkurtit 2026 në zonën e Saukut, në Tiranë, ku 18-vjeçarja Natalia Murati u paraqit e plagosur me armë zjarri në spital. Sipas Policisë së Tiranës, e reja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se ajo është vetëplagosur në ambientet e hotelit “Gjuta”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15. Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se plagosja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk. Sipas të dhënave të deritanishme, 18-vjeçarja dyshohet se është vetëqëlluar me një armë zjarri që i përkiste të dashurit të saj, Erisjaldo Gjuta, i cili dyshohet se e mbante pa leje.
Sipas dinamikës së zbardhur, në momentin e të shtënave Erisjaldo Gjuta, 22 vjeç, ndodhej jashtë dhomës së bashku me babanë e tij, Sajmir Gjuta. Pas dëgjimit të krismës, ata kanë hyrë në dhomë dhe kanë gjetur vajzën e plagosur. Më pas janë thirrur edhe Mirvete Gjuta, nëna e 22-vjeçarit, si dhe Vladimir Gjuta, xhaxhai i tij. Sipas hetimeve, katër personat kanë tentuar të pastrojnë vendin e ngjarjes, kanë fshehur armën dhe kanë larë gjakun, pa kallëzuar menjëherë ngjarjen.
Më pas, Mirvete Gjuta dhe Elvir Gjuta, kushëri i 22-vjeçarit, e kanë transportuar 18-vjeçaren në spital. Sipas burimeve hetimore, ata janë porositur të deklarojnë se “vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”. Hetimet e mëvonshme kanë vërtetuar se plagosja kishte ndodhur në hotelin e familjes së tyre.
Në dëshminë e saj, Natalia Murati ka deklaruar se në momentin e vetëplagosjes ka qenë e vetme në dhomë, ndërsa i dashuri ndodhej jashtë. Ajo ka pohuar gjithashtu se ka tentuar edhe herë tjetër të dëmtojë veten duke pirë medikamente. “Kam gabuar në jetë”, ka deklaruar 18-vjeçarja.
Policia njofton se në vijim të veprimeve procedurale janë arrestuar në flagrancë Vladimir Gjuta, 46 vjeç, dhe Mirvete Rexhmati (Gjuta), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim Sajmir Gjuta, 49 vjeç, dhe Erisjaldo Gjuta, 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe Erisjaldo Gjuta, 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Sipas Policisë, këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur, si dhe për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.








